Roli i Mucit tek ekipi shkodran

Në ekip Muci ishte lider i padiskutueshëm për vite me radhë, mesfushor punëtor dhe inteligjent. Në çdo ekip dy, tre apo katër lojtarë janë bërthama rreth së cilës ngrihet dhe funksionon mekanizmi i gjithë skuadrës

Prandaj Muci vazhdimisht, gjatë gjithë karierës së tij disa vjeçare tek Vllaznia, në të cilën janë ndërruar disa breza lojtarësh ka qenë në udhëheqjen e ekipit drejt suksesit, në daljet nga situatat e vështira, ishte shembull i lojtarit serioz, tepër korrekt, i aftë psikologjikisht për të mos rënë viktimë e pasioneve instinktive në asnjë situatë të lojës.

Kur Muci ishte në formë të mirë, Vllaznia luante mirë, kur Muci nuk ishte në fushë, apo kishte probleme fizike edhe Vllaznia çalonte, i mungonte elasiciteti dhe frymëmarrja. Muc Koxhja ishte model i lojtarit shembullor, shok i mirë në ekip e në shoqëri, punëtor i palodhur dhe prind dhe familjar i shkëlqyer.

Tirana, kundërshtarja historike për të cilën kishte ago dhe nostalgji
Për arsye punësimi nga fundi i viteve 1939 – 1943 Muci gjendet në Tiranë dhe megjithëse aktivitetet sportive kombëtare pothuaj ishin shënuar si rezultat i luftës së përbotëshme që vazhdonte, prapë se prapë Koxhaj krahas punës që bënte nuk u shkëput nga futbolli as në Tiranë, por filloi të aktivizohet në skuadrat e lagjeve të kryeqytetit që vazhdonin traditën e sfidave fubollistike me njëra – tjetrën.

Në Tiranë u aktivizua me skuadrën Naim Frashëri dhe më vonë me Bankën e Napolit, Hasan Balla, Zyber Lisi, Ali Visha, Ndoc Mirdita, Xhavit Demberi, Rakip Myzeqari, Skënder Shkupi, Nush Qymyri, Fiqiri Tartari, Petrit Kamba, janë disa nga emrat më të spikatur të futbollit tiranas në ato vite, me një pjesë të të cilëve Muci luajti dy ndeshje në formacionin më kualitativ të SK Tiranës.

Në mesin e vitit 1942 erdhi përnjë ndeshje, përfaqësuesja e Kosovës dhe luajti me përfaqësuesen e Tiranës. Kosovarët e humbën ndeshjen me rezultatin 2:0, krahas Mucit si portier luajti edhe shkodrani tjetër Halit Lacaj që edhe ai punonte në Bankën e Tiranës në atë periudhë.

Po atë vit skuadra përfaqësuese e Tiranës zhvilloi një ndeshje tjetër miqësore me qytetin e Strugës dhe përsëri Tirana fitoi me rezultatin 6:0. Rexhep Spahiu, Teudor Hanxheri e Muc Koxhja qenë treshja më e mirë e 22 lojtarëve në fushë. Muci nuk e fshihte simpatinë që kishte për ekipin e Tiranës dhe dëshirën dhe egon e madhe për ta mundur e për t’i kthyer revanshet.

Tirana ishte kampjonia e parë e Shqipërisë dhe që nga viti 1930 e në vazhdim rivalja historike e Vllaznisë, aq sa shtypi më i hershëm sportiv i asaj kohe shkruante në krye tituj Pionierët e futbollit (Tirana dhe Shkodra).

Tirana vitin që u shpall kampjone e parë e vendit njohu vetëm në humbje dhe këtë ia shkaktoi Bashkimi Shkodran 2:3, e njëjta gjë do të përsëritej edhe një vit më pas ku SK Tirana do të fitonte përsëri titullin por do të mundej brenda në Tiranë nga shkodranët me rezultatin 0:1.

Madje në 33-shin përsëri Shkodra i rrëmben Tiranës fitoret e të dy takimeve direkte 0:1 dhe 2:1 dhe kështu dukej sikur revizohej një alternativë pa përgjigje.

Kush është më mirë kampionia apo fituesja e përhershme e takimeve direkte me të.


Vllaznia e çvirgjëroi Tiranën

Ishte kampionati i vitit 1936, Tirana kryesonte në mënyrë spektakolare me rezultate disa herë edhe tenistike, si me Dragojn e Pogradecit 5:0, me Bashkimin e Elbasanit 3:0, me Kavajën 3:0, me Skënderbeun e Korçës 5:0, dhe i vinte radha të ndeshej në Shkodër me Vllazninë e qytetit ku lindi futbolli.

Gazeta Sporti shkruante në kryetitullin e saj “Nesër në Shkodër ndeshen titanët e klasifikimit të SK Tiranës me Vllazninë”. SK Tirana ngjitet në Shkodër pas katër fitimeve të bujshme, mbas një loje gjithë forcë e teknikë, gjithë gjallëri e elegancë, me një golavarazh fantastik 16:0 dhe me një portë të pa prekur, vajzë të mrekullueshme nga bukuria, zemrën e së cilës nuk mundën ta bëjnë për vete as djemtë më pelivanë deri me tre shute e me tre penallti.

Kampionët në Shkodër së bashku me titullin do të përpiqen të ruajnë edhe virgjërinë e portës së tyre. Po çka edhe shkodranët nuk janë mundur deri më sot kërkund, përkundrazi kanë shkuar duke fituar kudo edhe në Kavajë, lojtarët e Vllaznisë mendojnë të fitojnë e jo të dalin barabar, se edhe këta janë duke luajtur e msyer drejtë e në ballë titullin, e për më tepër duan t’i tregojnë Zibishtit të ri se deri më sot rrotull 6 vjetëve të kampjonateve s’ka portier që Shkodër Locja s’e ka detyruar ta nxjerrë topin nga rrjeta e vet.

Sado e fortë që të jetë mbrojtja e kampjonëve, prapë se prapë shkodranët nuk duan të besojnë se vajza, ajo hyri e sportklubit ka për të mbetur pa u martuar, në Shkodër me ndonjë tip trimi syzi e vetullzi të ndonjë shkodrani. Tani sytë e popullit sportdashës do të drejtohen kësaj të diele nga fusha e Shkodrës, dhe prej andje presim përgjigjen e shumë pyetjeve që na brejnë ndërgjegjen.

Shkodranët kollaj fort e ngatërrojnë fillin e pëlhurës epo u has sharra në gozhdë kapjonëve, e po fillon me këndue prapë kënga e vjetër. Korçartë rrah Shkodrën, Tirana rrah Korçën, por Shkodra rrah Tiranën. Pas këtij stili të përkryer gazetaresk made in Mazrreku, që sot nuk figuron te asnjë penë.

Muc Koxhja jep përgjigjen e saktë të asaj që gazeta Sporti i asaj periudhe shtronte si pyetje në prag të asaj ndeshjeje të shumë pritur. Tiranasit nuk humbën në Shkodër, por porta tiranase për qime flokut, ishte fat i madh për ta që nuk u mundën, ndërsa porta tiranase u çvirgjërua jo me një por me dy gola të lojtarëve shkodranë.


SK 17 Nëntori përforcohet me Muc Koxhen, Loro Boriçin e Bimo Fakjen

Në vitin 1946 SK 17 Nëntori zhvilloi një turne miqësore në Bosnje-Hercegovinë me Zheljezhniçarin dhe Zenicën, pra siç shkruante shtypi i kohës tri ndeshje një fitore një barazim dhe një humbje ishte bilanci i këtij turneu të 17 Nëntorit të përforcuar me Boriçin, Koxhaj e Fakjen e Vllaznisë. Ja dhe formacioni i 17 Nëntorit të përforcuar: Jeremiq, Janku, Llambi, Fakja, Koxhaj, Spahiu, Parapani, Boletini, Boriçi, Bicaku, Bizhuta.

Ndeshja e parë me Zenicën përfundoi 2:1 për tiranasit, së pari kaluan në avantazh vendësit në fillimin e lojës së dytë, por pas 10 minutash barazon Bicaku, ndërsa në minutën e 35 Boriçi shënon golin e fitores për miqtë. Gazeta Sporti citon se fitorja e skuadrës sonë duhet të kishte qenë më e thellë por u duk kjartazi mungesa e marrëveshjes mes lojtarëve që shkaktoi humbjen e mjaft rasteve të sigurtë.

Ndeshja e dytë me Zheljezhniçarin përfundoi 0:0, me tone kritike Sporti shprehej, ndoshta duhet të kishim fituar edhe mirë biles, sikur të mos kishin munguar provat mes lojtarëve dhe sidomos të dy shtyllave Boriçit e Bicakut që gjatë gjithë lojës nuk u kuptuan fare dfhe bane qi nji fitim i sigurtë të na ikte prej duarve.

Ndërsa ndeshja e tretë po me Zheljezhniçarin e Sarjevës, ndeshje që u zhvillua nën ndriçimin e dritave elektrike që për atë kohë kujton Muci për ne ishte një mrekulli e pa shijuar kurë më parë, tiranasit thyhen me rezultatin 3:0.

Përsëri duke iu referuar shtypit të kohës me largimin e Bicakut i cili i vranë sy, dhe të Koxhjes që ishte plagosë rëndë në një duel ajror, skuadra jonë e lodhur me dy lojtarë mangut (atëhere nuk lejohej zëvendësimi i lojtarëve të dëmtuar), nuk mundi të zhvillojë dot një lojë të bukur, Boriçi i mbetur thjeshtë vetëm nuk mundte të bënte gjë, ndërsa porta e Jeremiqit u bë pelegrinazh i plot tre golave të hidhur.


Motet e mëdha 45 e 46

Titujt e këtyre viteve thotë Muc Koxhja janë sadisfaksioni më i madh sportiv i jetës sime, krenaria më e madhe e nostalgjia më mbresëlënëse. Emocionet janë të justifikueshme, të cilat nuk i fsheh dot as sot pas 57 vitesh, dhe tek shfleton albumin e tij ndërmend i vijnë të gjithë shokët e bashkluftëtarët e arenës së gjelbërt të cilëve sikur ua ledhaton fotot plot mall duke pëshpëritur e thënë, rahmet pastë Bimoja, Lutfiu, Muhameti, dritë paçin Loroja, Doda, Preka, Pali, etj., dhe ndoshta e ndjen më shumë mungesën e tyre se peshën e rëndë të viteve që mbart mbi supe, dhe shton lus Zotin që pleqëria nuk më mundon, por tani që jam i vetmi që jetoj nga brezi im më duket vetja pa ta i vetmuar si Robinson Kruzo në ishullin e tij.

Në dy edicionet 45, 46, Muci ishte një ndër protagonistët e suksesit të madh, luajti padyshim të gjitha takimet duke mbajtur në krah shiritin e kapitenit, pra një kapiten i vërtetë i një ekipi absolutisht kampjon. Vllaznia e atyre viteve ishte një ekip luftarak me tipare krejtësisht sulmuese e pa përmbajtshme nga asnjë mbrojtje aq sa në kampjonatin e dytë shënoi 32 e pësoi vetëm 3 gola, bile Muci thotë do ta kishim mbyllur kampionatin vetëm me një gol të pësuar sikur të ishim paraqitur në Korçë.

Në Korçë nuk u paraqitëm, jo pse e kishim të siguruar fitimin e titullit, por nuk patëm as mjet udhëtimi në gjendje pune, kështu humbëm dy pikë e pësuam dy gola aforfajt, por por në të vërtetë Vllaznia, në këtë kampjonat nuk njohëm as humbje as barazim, synimi ishte vetëm të pësonim sa më pak gola, kishim mbrojtje shumë të mirë, Dodën vigan dhe të papërkulur që shënoi një rekord që do të mbetet i pathyer gjithmonë në kampjonatet tona vetëm 3 gola e pësuar, që përveç Tahirit askush tjetër nuk mund ta përsërisë më këtë mrekulli.

Një kapitull më vehte janë kujtimet për shokët dhe shoqërinë, si brenda e jashtë fushës së gjelbërt. Kishim shoqëri të pastër, kishim unitet, nuk dinim ç’janë hilet, hipokrizia as egozimi në shoqëri. Në ndeshjet transfertë shkonim si ansambël me fizarmonikë së cilës i binte Adem Smajli e Zyhdi Barbullushi, ndërsa këndonin për bukuri Xhelal Juka, Ademi e Dodë Tahiri.

Ky këndonte edhe këngë shkodrane, edhe bënte bejta, duke u gjuajtur me thumba me Adem Smajlin, këndonte shumë bukur edhe këngët nashke duke thënë me shaka po këndoj për miqësinë Shqiptaro – Jugosllave.

Në qytetet që shkonim për të luajtur uleshim në kafe në qendër të qytetit dhe atynë kafe ia fillonim ehengut për disa orë, populli mblidhej grumbull me na pa dhe duke bërë shaka shtonin. Këta shkodrajt sonte këndojnë e bajnë aheng,  kurse nesër na rrahin e ikun, kësa or vëlla i thonë rrahje me muzikë, të njajtën gja banim gjatë kthimit vinim duke kënduar, për me i diftue popullit të Shkodrës se po ktheheshim me fitore.


Dy punë për një rrugë

Në 46 shkuam në Berat, fusha e futbollit ishte afër Osumit e lagët si moçalishte. Ne pa vonuar me një lojë të spikatur teknike që na karakterizonte shënuam 3, 4 gola, por beratasit filluan të luajnë shumë rëndë, sidomos mbrojtësi Pipivalle e dërmoi në shqelma e në faulla Boriçin synimi ishte i qartë ta nxirrte jashtë luftimit.

Atëherë thotë Muci e këshilloi Loron të tërhiqet në gjysëm mbrojtje apo në mbrojtje krejt dhe avancuam përpara Xhelal Jukën e Adem Smajlin, epërsia jonë ishte fatale për beratasit, porta e tyre u bë kosh basketbolli duke pësuar plot 9 gola, por prap beratasit sulmonin me ngulm për të shënuar të ashtuquajturin golin e nderit në një sulm të tyre plot rrezik drejt portës sonë topi niset në thellësi drejt zonës.

Sulmuesi beratas në afërsi të 16 metërshit u gjend vetëm për vetëm me Tahirin i cili me hap të fuqishëm del nga zona e vet kërcen energjikisht duke e goditur topin me kokë sikur të ishte qendër mbrojtës, përpara se t’i binte me kokë hoqi kapelen nga koka, ishte në modë mbajtja e kapelave nga portierët dhe topi i goditur si me topus nga koka e Dodës me dy pasime fluturimthi arrin tek Xhelal Juka i cili vetëm me portierin beratas e kishte më lehtë ta fuste kuadrat se sa ta nxirrte jashtë.

Doda me shpoti i thotë kuku për ty o qyqman, Xhelali i përgjigjet nuk e godita topin se ma nuve ti kur i re me kokë. Po u kthye nga Berati i morëm leje Federatës të shkonim në Gjirokastër të mos bënim dy rrugë brenda një jave, federata na lejoi, dizfavori ishte për ne që do të luanim dy ndeshje brenda 3 ditëve.

Edhe në Gjirokastër fituam 9:0, kishim rast të shënonim edhe golin e dhjetë, por Prekë Gjeloshi ndërhyri si babush duke na thënë aman mos shënoni më tepër se do i mbesë hatri Gjirokastrës po i shënuam më shumë se Beratit, bile këta nuk po luajnë as me shqelma. Dy punë për një rrugë shkruante gazeta Sporti, rast unikal 18 gola pa pësuar asnjë në dy ndeshje brenda tre ditësh.


Si u njoha me Dodë Tahirin

Në vitin 1938 Shkodra u ndesh me Kotorrin, në Shkodër fituam 2:0, për të bërë ndeshjen e kthimit shkuam nga Tivari në Budva dhe pastaj dolëm në Kotorr ku edhe zhvilluam ndeshjen e kthimit e cila përfundoi 1:1 dhe normalisht meritonim fitoren. Gjatë kthimit u ndalëm në një lulishte në Cetine, ishte shumë vapë dhe u ndalëm të freskoheshim për pak çaste.

Ishim duke ndejtë kur vjen një djalosh vigan gjithë hare dhe i qeshur dhe na thotë tungjatjeta juaj o burrat e Shqypnisë, jam shqiptar prej Shkodre, jam portier i Cetinës, më vjen keq që barazuat se kishit mundësi ta fitonit ndeshjen. A më merrni mua portier se qebesa nuk kam me u turpnue, në krahasim me Ahmet Nutin që kishim portier Doda ishte sa dy herë ai.

Trajnerët tonë Brahim Dizdari e Zef Hili i thonë hajde në Shkodër e të provojmë pas disa ditësh, Doda kthehet në Shqipëri, testimi i doli me shumë sukses, dhe ishte padyshim portieri më i shkëlqyer i kohës së tij. Në atë kohë nuk kishim autobuz, por udhëtimin e bënim me dy makina të vogla, unë, Doda e Adem Smajli shkonim gjithmonë në një makinë të vockël, shprehet Muc Koxha.

Doda e Ademi bënin shaka gjatë gjithë rrugës dhe na kalonin rrugën pa e ndier fare. Doda ishte i gjatë e duke ndejtë mbledhur në atë makinë të vogël i mpiheshin këmbët, Doda i thoshte Ademit ta shtrij pak këmbën në drejtim tënd se mbarova, shtrije i thoshte Ademi të shtifsha në arkivol, Doda ia kthente më dhimbset një fishek se në vorr të çoj unë ty duke i rënë kllefit të patllakes që kishte me leje.


Ballkaniada, pengu i madh i shpirtit

Më 23 gusht 1946 në prag të Ballkaniadës u zhvillua një ndeshje miqësore me sindikatat e Maqedonisë në Shkup, në këtë ndeshje kontrolli kombëtarja jonë fitoi 3:1 por humbi Muc Koxhën, i cili ishte piketuar nga Jugosllav i nacionales sonë Bracic në njëmbëdhjetëshin anti Ballkanas të 46-ës.

Dëmtimi ishte shumë delikat në gjurin e djathtë dhe shtrimi në spital ishte i detyruar, ç’ka e nxori jashtë njëmbëdhjetëshit duke u zëvendësuar nga Besim Fagu, dhe vetëm ndërhyrja kirurgjikale e doktor Shirokës e solli përsëri pranë futbollit, por duke i mbetur peng në zemër ëndrra e madhe e Ballkaniadës të cilën e ka skicuar me kujdes edhe ditarin e kujtimeve të tij.


Gjithnjë pranë futbollit

Në fund të vitit 1950 Muci dëmtohet përsëri, çka e detyroi të varte këpucët në gozhdë pas një karriere 15 vjeçare me ekipin e Vllaznisë duke lënë pas dy trofe kombëtare të fituara, në vitin 45, 46, dy herë nënkampion i Shqipërisë në vitet 36, 37 dhe 26 ndeshje ndërkombëtare të zhvilluara kryesisht me fanellën e Vllaznisë, por edhe të Tiranës e të Përfaqësueses.

Mes të cilave veçojmë Buduçnostin 2:2, me Tivarin 6:0, me Kotorrin 3:0, e 1:1, me Tivatin e Malit të Zi 7:0, me Prishtinën 6:0, me Prizrenin 2:0, me Divizionin 46 Jugosllav 3:0, e 4:1, me Hajdukun e Splitit 2:1, e 0:3, me Llovcën e Cetines 3:0, e 2:1. Klubet e veriut Spartak i Moskës Shkodër 0:3, kujtojmë se Spartaku kishte 80% të lojtarëve të përfaqësueses Sovjetike.

Muc Koxha ka një biografi të pasur edhe si trajner i futbollit shqiptar, ka drejtuar Punën e Shkodrës në vitet 1951 – 1954 duke zënë edhe vende nderi në klasifikim. Si trajner i Shkodrës, së mbetur jetime nga grabitjet që i bënë Dinamo e Partizani, i fiksuar në kujtesë i mbetet hakmarrja e pamëshirshme e 9 korrikut 1952 ndaj Partizanit me disa titullarë shkodranë.

Puna zbërthen totalisht 4:1 Partizanin që nuk kishte frikë nga askush. Në vitin 1953 Komiteti shtetëror i sporteve Muc Koxhjën në moshë 37 vjeçare e emëron zv/trajner të hungarezit Vadashi, që iu besua drejtimi i përfaqësueses Shqiptare. Kombëtarja jonë më 25 nëntor 1953 arrin një fitore shumë të rëndësishme 2:0 ndaj Polonisë.

Përfaqësuesja e Tiranës me Varshavën po 2:0, në fakt janë po ata lojtarë që luajtën me përfaqësueset vetëm se në këtë ndeshje thirren Tirana e Varshava. Në 53 në Shkodër Vllaznia Stalinogrudi 1:4, këto janë tre ndeshjet ndërkombëtare si trajner të Mjeshtrit të Sportit Shqiptar Muc Koxhja.