Nga Endri ÇINARI

Tashmë duke hyrë në javën e tretë të përgatitjeve verore, ritmi i stërvitjeve tek Vllaznia është rritur. Kështu shkodranët kanë shtuar “dozat” duke zhvilluar edhe nga dy seanca stërvitore në ditë. Me paraditen që ka qenë e zënë në palestër për kuqeblutë, ku fokusi ka qenë tek forca dhe përgatitja sa më e mirë e muskujve. Dhe nën kujdesin e përgatitësit atletik, Kadija, shkodranët kanë zhvilluar seancën sipas një programi të detajuar.

Pasdite për shkak edhe të temperaturave të larta në Shkodër, seanca është preferuar të zhvillohet pas orës 18:00. Ku kuqeblutë si zakonisht kanë zhvilluar stërvitjet në fushën sportive të Golemit në periferi të qytetit.

Seanca ka qenë e “gërshetuar” me shumë vrapime dhe sprinte, përpos lojërave të zakonshme me top. Apo edhe disa skemave që mund të përdoren gjatë lojës në momente të ndryshme.

Kështu fokusi total momentalisht i Martinit është përgatitja sa më e mirë fizike e gjithë ekipit. Tekniku shkodran është një “fanatik” i kësaj pjese dhe kërkon një skuadër që të jetë e aftë ta përballojë garën në kampionat nga fillimi në fund. E po ashtu duke nisur gjithçka nga turet e Conference League, që do jenë prova e parë zyrtare për shkodranët në sezonin 2025-26.