Vllaznia arriti të fitonte në shifrat 0-2 kundër Pogradecit në ndeshjen e parë të turit të 1/16 të kupës së Shqipërisë. Shkodranët u rikthyen tek fitorja në kupë, pas dy humbjeve që pësuan në kampionat. Kjo fitore sikur ka qetësuar disi situatën tek kuqeblutë që po përpiqen të dalin nga kriza e rezultateve.

Ajo që ra në sy kundër pogradecarëve ishte fakti se protagonistë ishin lojtarët e stoli. Sulmuesi vlonjat, Ardit Hoxhaj duket tashmë në formën optimale fizike dhe me golin e shënuar dje kundër liqenorëve hedh kandidaturën e tij për një vend titullari në ndeshjet e rradhës.

Po ashtu mesfushori boshnjak, Mustedanegic realizoi golin e tij të tretë këtë sezon me skuadrën shkodrane. Duket se edhe ai mund të jetë një alternativë shumë e vlefshme për takimet që do pasojnë.

Jo vetëm këta dy futbollistë, por edhe Çoba e Fangaj që ishin pjesë e formacionit po presin momentin e tyre gjatë kampionatit.

Ky fakt duket se “ngroh” disi trajnerin Brdaric që mund të besojë edhe tek disa lojtarë që nuk kanë pasur minutat e shumta këtë sezon në kampionat, por në ndeshjet që do vijnë mund të kemi aktivizime si titullar për ndonjërin prej futbollistëve.
Endri ÇINARI