HomeFUTBOLLKATEGORIA SUPERIORENesër luajnë ndaj Dinamos, të dielën ndaj Vllaznisë, Dobi: Herët a vonë...

Nesër luajnë ndaj Dinamos, të dielën ndaj Vllaznisë, Dobi: Herët a vonë rezultatet e Teutës do të vijnë

Pas barazimit me Vorën, Teuta kërkon të marrë fitoren e parë në kampionat në sfidën kundër Dinamos, që do të zhvillohet të mërkurën në orën 15:00 në stadiumin “Niko Dovana”. Trajneri Enkeleid Dobi, duke vlerësuar kundërshtarin, u shpreh se objektiv janë tri pikët në këtë ndeshje.

Si e keni përgatitur skuadrën për sfidën ndaj Dinamos?

Si çdo ndeshje tjetër, edhe këtë herë jemi përgatitur me seriozitet. E vetmja gjë që ka ndryshuar është fakti se kemi pasur më pak kohë në dispozicion krahasuar me një javë normale mes ndeshjeve.

Çfarë prisni nga kjo ndeshje dhe cilat janë objektivat kryesorë të Teutës?

Objektivi ynë kryesor është fitorja dhe për këtë jemi përgatitur. Natyrisht, fusha është ajo që do të tregojë rezultatin, por skuadra ime, stafi dhe i gjithë klubi hyjmë në këtë përballje vetëm me mendjen te tri pikët.

Kush janë pikat më të rrezikshme të Dinamos dhe si mendoni t’i neutralizoni?

Dinamo edhe sezonin e kaluar zhvilloi një kampionat të mirë dhe ka ruajtur vazhdimësinë, si në staf ashtu edhe në organizimin e klubit. Kohët e fundit ka treguar ambicie të larta, sidomos me paraqitjet në Europë, ku dëshmoi se është një ekip solid. Sot, mund të them se është skuadra më e mirë në Shqipëri dhe meriton respektin tonë. Por ne kemi një moto: ‘Nëse do të të respektojnë të tjerët, respekto fillimisht veten’. Ne e respektojmë veten tonë dhe në fushë do të luftojmë vetëm për fitore.

A do të ketë ndryshime në formacionin ose sistemin tuaj të lojës për këtë takim?

Së bashku me stafin po e analizojmë situatën. Do të shohim gjendjen fizike dhe psikologjike të lojtarëve, pasi kjo është një pjesë shumë e rëndësishme. Ende kemi kohë deri nesër për të marrë vendimet e duhura dhe për të përcaktuar formacionin ideal.

Si është gjendja e skuadrës?

Gjendja e skuadrës paraqitet mirë, megjithëse nuk kanë kaluar ende 48 orë nga ndeshja e fundit. Kemi një zhgënjim të vogël nga rezultati i asaj sfide, jo nga loja, por tashmë e kemi lënë pas dhe fokusi ynë është te Dinamo. Nga ana fizike, mendore dhe emocionale jemi gati për të marrë një rezultat pozitiv. U bëj thirrje edhe tifozëve tanë që të na mbështesin, pasi kjo skuadër ka treguar dinjitet dhe karakter, dhe çdo ndeshje do të jetë gjithnjë e më e mirë.

Një koment për tifozët?

Tifozët janë gjithmonë të rëndësishëm, jo vetëm për Teutën, por për çdo ekip në botë. Ata janë pjesë e lojtarëve, klubit dhe qytetit. Ky ekip luan për ta. Teuta historikisht ka pasur një tifozëri të zjarrtë dhe nuk duhet ta harrojmë këtë. I ftoj “Djemtë e Detit” të jenë më pranë se kurrë, sepse ky është momenti më i duhur për të mbështetur skuadrën. Jam i bindur se do të jenë krenarë për atë që do të shohin në fushë.

Cili është mesazhi juaj për lojtarët përpara ndeshjes?

Mesazhi im është i thjeshtë: në jetë nuk duhet të lëmë asgjë për të ardhur keq, por çdo ditë duhet ta shfrytëzojmë për të dhënë maksimumin. Të punojmë fort, të stërvitemi dhe të luftojmë në fushë. Gjërat e jashtme nuk varen nga ne, por puna jonë po. Rezultatet do të vijnë, herët apo vonë, nëse secili jep gjithçka ka brenda tij.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments