Arsid Kruja është larguar nga Vllaznia vetëm dy muaj e gjysmë pasi u rikthye në Shkodër. Futbollisti shkodran, i shpallur sezonin e kaluar si pjesë e formacionit më të mirë të Superiores, nuk është më pjesë e kuqebluve për shkak të ndryshimeve të fundit në organikën dhe planet e ekipit.
Klubi ka lënë të kuptohet se nuk ishte i kënaqur me paraqitjet e Krujës në Kupat e Europës, ndërsa trajneri Edi Martini i kufizoi minutazhin. Megjithatë, një analizë më e thellë e situatës nxjerr në pah mungesën e një strategjie të qartë në ndërtimin e merkatos së Vllaznisë.
Rikthimi i Krujës u shoqërua me bujë, pasi ai ishte ndër lojtarët më të mirë në krahun e djathtë sezonin e kaluar dhe dukej se përshtatej në mënyrë ideale me skemën 3-5-2 të Martinit. Kruja, bashkë me Gurishtën, pritej të blindonte krahun e djathtë të mbrojtjes, por ndryshimet e menjëhershme në klub përmbysën gjithçka.
Afrimi i Kastratit, që duket si surprizë edhe për vetë drejtuesit, ka sjellë lëvizje të reja në formacion. Në testin miqësor me Kukësin dhe me shumë gjasë edhe në sezonin e ri, Kastrati do të luajë në sulm përkrah Balajt, ndërsa Mala, që deri vitin e kaluar ishte pjesë e fazës ofensive, është rikthyer si mesfushor i djathtë, duke zëvendësuar Krujën. Nga ana tjetër, Kallaku, një tjetër afrimi i verës, pritet të pozicionohet pas dyshes Kastrati-Balaj.
Në këtë skenar, Kruja mbeti jashtë loje. Natyrisht, konkurrenca është pjesë e futbollit dhe vendin e fiton ai që jep më shumë rezultat, por problemi i madh në këtë rast mbetet qasja e klubit. Vllaznia afroi një futbollist të mirë, i premtoi një rol kyç në skuadër, ndërsa vetëm pak javë më vonë ndryshoi gjithçka, duke e nxjerrë nga planet.
Një mënyrë e gabuar menaxhimi që tregon se merkatoja e Vllaznisë nuk është ndërtuar mbi një strategji, por mbi lëvizje të rastësishme.