Ditën e sotme në rradhët e AF Elbasani u prezantua afrimi i fundit nga verdheblutë. Esin Hakaj ashtu siç ishte paralajmëruar prej disa kohësh nga “Shkodra Sport” iu bashkua ekipit që u ngjit nga Kategoria e Parë në sezonin që lamë pas. Kjo lëvizje shtoi numrin e futbollistëve shkodranë në rradhët e Superiores. Duke formuar kështu një formacion me shkodranë që nuk luajnë tek Vllaznia.

Kështu formacioni i shkodranëve të Superiores nis nga Alen Sherri. Portieri i Egnatias që me siguri do lërë rrogozhinasit këtë merkato duke u transferuar tek Kaljari në Serie A. 11-shja e shkodranëve vijon me mbrojtësit e Teutës, Gjini dhe Marku. Ky i fundit iu bashkua këtë merkato “djemëve të detit”. Në repartin e prapavijës ka vend edhe për Preken e Partizanit.

Nga krahët mbulon në të djathtë Fangaj i Egnatias e ndërsa majtas Hakaj, tashmë pjesë e Elbasanit. Në mesfushë është një emër plot eksperiencë i kampionatit tonë si Edon Hasani, i cili në sezonin e ri do jetë pjesë po ashtu e AF Elbasanit. Vend në këtë repart ka edhe për Eldis Krajen, i cili është pjesë e Laçit. Sulmi po ashtu përbëhet nga emra interesantë.

Nga krahët janë Kruja i Teutës dhe Nikaj i Skënderbeut, me këtë të fundit që po ashtu pritet të lëvizë nga korçarët në këtë merkato. Në majën e sulmit në formacionin e shkodranëve është Qardaku, që në sezonin e ri do luajë për Dinamon. Pra, një formaciom shkodranësh në thuajse gjithë Superioren, që tregon edhe njëherë për talentet e shumtë që nxjerr kryeqendra e veriut.
Endri ÇINARI