Nga Endri ÇINARI
Trajneri Edi Martini pas miqësores të së shtunës së kaluar deklaroi se merkatoja e Vllaznisë vetëm sa ka nisur. Me shkodranët që pritet të kompletohen totalisht në javët e ardhshme. Në mënyrë që skuadra e re të jetë gati jo vetëm për sezonin e ri të Superiores, por edhe për ndeshjet e Conference League, ku kuqeblutë kanë si synim minimal kalimin e turit të parë.
Dy janë objektivat kryesorë të 9 herë kampionëve të vendit për t’u afruar në skuadër. Fjala është për një mbrojtës dhe po ashtu për një mesfushor me tipare sulmuese, në rolin e një fantazisti. Emri më i lakuar për mbrojtjen ngelet Mevlan Adili, pavarësisht se palët ende nuk duket se kanë gjetur gjuhën e përbashkët, shkupjani ngelet një “fiksim” në Shkodër. Ku kërkohet rikthimi i tij për t’u shndërruar në liderin e prapavijës.
Emri tjetër më i “nxehtë” përsa i përket mesfushës është ai i Sherif Kallakut. Ku është Edi Martini që personalisht po këmbëngul për fushëkrujasin, të cilin e ka drejtuar më parë tek Teuta.
Dy emra të njohur të kampionatit tonë dhe me plot eksperiencë, që nëse do i bashkoheshin Vllaznisë, patjetër që do i shndërronin shkodranët si një nga ekipet pretendente për titullin në Superiore për sezonin 2025-26.(www.shkodrasport.com)