Nga Gjergj KOLA
Futbolli shqiptar i viteve ’80 ka qenë ndër më bukurit që është luajtur në vendin tonë dhe pjesë e atij brezi kanë qenë emra të mëdhenj që kanë shkruar historinë e këtij sporti. Në fakt, shumë prej këtyre legjendave do të kemi mundësinë t’i shohim sërish duke luajtur në fushën e lojës.
Do të ndodhë pikërisht të martën e ardhshme më 23 shtator, kur në Shkodër do të zhvillohet Kupa “Miqësia”. Organizatori i këtij aktiviteti është i mirënjohuri Hysen Zmijani dhe pjesmarrës në të do të jenë ekipet e veteranëve të Vllaznisë, kombëtares shqiptare, Flamurtarit të Vlorës dhe disa mysafirë të veçantë: Veteranët e futbollit të Michiganit që do të vijnë nga Amerika e largët për të luajtur futboll në “Loro Boriçi”.
Bëhet e ditur se ndeshjet do të startojnë në orën 16:00 dhe do të jenë dy gjysmëfinalet fillimisht dhe më pas finalja që do të përcaktojë edhe fituesin e kësaj Kupe. Por më shumë sesa fituesi, e rëndësishme është që do të kemi mundësinë që të shohim sërish në fushën e lojës shumë prej emrave të mëdhenj të futbollit shqiptar.
Mjafton të themi se me Vllazninë do të luajnë emra si Ferid Rragami, Hysen Zmijani, Bardh Jera, Rudi Vata etj. Tek Flamurtari do të zbresin në fushën e lojës emra të tillë si Sokol Kushta, Latif Gjondeda, Rrapo Taho, Alfred Ferko, Roland Iliadhi etj. Po ashtu edhe tek kombëtarja shqiptare kanë konfirmuar pjesmarrjen e tyre emra të bujshëm si Perlat Musta, Blendi Nallbani, Sulejman Demollari, Nevil Dede, Altin Lala, Ervin Fakja, Ilir Shulku, Agustin Kola, Shkelqim Muça, Ledio Pano, Ylli Shehu, Arben Milori, Kristaq Mile, Perparim Kovaçi, Mirel Josa, Afrim Tole, Salvator Kaçaj e Artur Çobani.
Duke i shtuar pjesmarrësve edhe veteranët e futbollit që do të vijnë nga Michigani, padyshim që atmosfera do të bëhet edhe më e bukur dhe sigurisht që kjo do të jetë një mundësi e shkëlqyer edhe për sportdashësit shkodranë për t’i ndjekur dhe mbështetur gjithë këto yje nga shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”.