Nga Maringlen ZHIVANI

Vllaznia vijon me seriozitet përgatitjet, me synimin e qartë për të ndërtuar një skuadër të përgatitur në çdo aspekt për sfidat europiane që e presin. Në këto ditë të para të përgatitjeve, por edhe në dy miqësoret e luajtura, ka qenë një futbollist që ka rënë në sy. Fjala është për mesfushorin Ensar Tafili.

Ai ka zhvilluar një paraqitje goxha pozitive, duke rënë në sy me ritmin dhe elegancën e tij me topin. Në të dyja miqësoret, Tafili ka qenë një nga më të mirët në fushë për ekipin e Vllaznisë. 20-vjeçari luan në pozicionin e mesfushorit të qendrës dhe konsiderohet si e ardhmja e këtij reparti për kuqeblutë.

Ai është një element që ka spikatur me paraqitjet e tij të mira dhe tashmë, Tafili ka tërhequr edhe vëmendjen e trajnerit Edi Martini. Ensar Tafili u afrua në merkaton e kaluar verore tek Vllaznia, ku la Partizanin për t’u rikthyer edhe njëherë në vendlindje dhe në ekipin ku u formua si futbollist.

Në fakt, Ensari vjen nga një familje shumë e njohur në sport, kryesisht në atë të çiklizmit sepse xhaxhallarët e tij, Agimi dhe Sytkiu janë shumë të njohur, ndërsa babai i tij, Shkëlqimi është marrë me qitje. Megjithatë, mesfushori 20-vjeçar ka vendosur të ndjekë rrugën e djalit të xhaxhait, Alsidit, i cili është një emër shumë i njohur në Shkodër prej shumë vitesh si futbollist, por së fundmi edhe si menaxher.

Ensar Tafili është një futbollist që po spikat tek ekipi i Vllaznisë dhe tashmë, padyshim që do të tentojë të marrë minutat e duhura edhe me ekipin e parë. Ai ka mundësi për të dhënë shumë, por nga ana tjetër edhe drejtuesit kuqeblu duhet të bëjnë detyrën e tyre, për t’i dhënë minutat e duhura, pasi realisht Ensar Tafili konsiderohet si një mesfushor me mjaft të ardhme.(www.shkodrasport.com)