Nga Endri ÇINARI

Me fillimin e kësaj jave, Vllaznia e ka rritur “dozën” e përgatitjeve, me shkodranët që tashmë kanë shtuar ritmin. Në mënyrë që të jenë sa më të përgatitur për fazën përgatitore verore që do zhvillohet në Bullgari.

Kështu dita e futbollistëve kuqeblu është ndarë në dy seanca stërvitore. Ku gjatë paraditeve, 9 herë kampionët e vendit nën mbikëqyrjen edhe të përgatitësit atletik kanë zhvilluar seanca në palestër.

Në fokus ka qenë forca fizike dhe përmirësimi i saj. Kjo për të pasur një qëndrueshmëri përsa i përket dëmtimeve, që ishin një “makth” për shkodranët në sezonin 2024-25. Por po ashtu kuqeblutë gjatë pasditeve kanë zhvilluar edhe seancat stërvitore në fushë, që po ashtu kanë qenë në një ritëm dhe intensitet më të lartë se para një jave. Me vrapime apo lojëra të ndryshme që ndikojnë në formën edhe fizike të lojtarëve.

Po ashtu trajneri Martini ka pasur një fokus edhe tek përgatitjet teknike dhe taktike. Duke interpretuar vendosje të ndryshme të skuadrës, të cilat mund të pasqyrohen patjetër në ndeshjet që mund të zhvillojë skuadra.(www.shkodrasport.com)