Kur flasim për sportin e mundjes dhe kryesisht atë klasike, kuptohet që emri i parë tek i cili je i detyruar të ndalesh është ai i Qazim Elbasanit. I pari kampion i Vllaznisë në këtë sport i cili do t’u hapte më pas rrugën shumë kampionëve të tjerë të cilët do t’i nxirrte me duart e tij, por tashmë në rolin e trajnerit.
Kush është Qazim Elbasani?
Ka lindur në Shkodër më 25 prill 1929 dhe jetën e tij do t’ia kushtonte sportit. Për shumë vite ka bërë vetë sport, ndërkohë që karrierën më të gjatë e ka si trajner, e po ashtu ka kontribuar edhe si gjyqtar i mundjes ndërkohë që në në vitet e fundit ka punuar edhe si përgjegjës i terreneve sportive në Shkodër.
Qazim Elbasani është ndër pionerët e parë të mundjes klasike në Shkodër, madje me plot gojën mund të konsiderohet themeluesi i mundjes në vitet e para pas Çlirimit kur nën drejtimin e Luigj Shalës, krijohet ekipi shkodran që me datë 9 maj 1948 zhvillon ndeshjen e parë kombëtare me ekipin e Durrësit.
Shkodra në atë ndeshje përfaqësohet me 3 mundësa, Durrësi me 5 mundësa. Ekipi shkodran gradualisht i shton rradhët e tij duke e plotësuar përbërjen për në garat e kampionatit të 1-të kombëtar që u zhvillua më 20-21 gusht 1949 në Kukës.
Vllaznia përfaqësohet me ekipin e parë në përbërje të të cilit janë: Qazim Elbasani, Shuajp Cufja, Ismet Llukaçej, Sheuqet Heboja e Zef Kola. Në këto gara, Qazim Elbasani do të vinte vendin e parë në peshën e katërt duke rregjistruar një sukses shumë të madh, kur ai ishte vetëm 20 vjeç.
Ai është kësisoj kampioni i parë shkodran në historinë e mundjes klasike. Ndërkohë ekipi i Vllaznizë zuri vendin e III, me pikë të barabarta me Tiranën e vendit të dytë, ndërkohë që në vend të parë do të renditej Ushtria.
Në vitin 1950 Qazim është ushtar dhe do të përfaqësonte ekipin e Partizanit duke qenë i padiskutueshëm në formacion dhe duke zhvilluar ndeshje mjaft të bukura duke kontribuar që ekipi i Ushtrisë të shpallet kampion.
Mbasi kthehet nga ushtria, Qazim Elbasani do të merrte drejtimin e ekipit të Shkodrës si trajner i saj duke grumbulluar shumë elementë cilësorë si nga qyteti, ashtu edhe nga fshatrat përreth dhe nga puna e tij serioze dhe kërkuese në stërvitje, bën që Vllaznia të ballafaqohet denjësisht në kampionatet kombëtare duke nxjerrë shumë mundësa cilësorë dhe kampionë kombëtar si dhe anëtar të ekipit tonë kombëtar.
Gjatë kësaj kohe dhe deri në vitin 1970 është aktivizuar edhe si gjyqytar duke patur kategorinë e parë sportive duke u dalluar për një gjykim cilësor dhe të ndershëm, drejton me shumë sukses ekipin e të rriturve të Vllaznisë deri në vitin 1973 dhe duke ia dorëzuar më pas ekipin nxënësit të tij Naim Pepa.
Edhe pas kësaj periudhe, ka qëndruar pranë ekipit të mundjes, megjithëse u caktua si përgjegjës i terreneve sportive (stadium- pallat sporti), detyrë të cilën e kryen me shumë aftësi.
Nga puna e tij e palodhur kanë dalë sportistë kampionë ndër vite si Mark Vata, Sheuqet Heboja, Dakë Vuksani, Gjovalin Çuni, Mirash Vuksani, Nikoll Grimaj, Eljaz Guri, Hamza Çela, Fariz Cibaku, Jup Sejdini, Ymer Gruda, Gegë Gjoni, Naim Pepa, Dushan Vaso, Ali Murrizi etj. Ndërkohë ekipi i Vllaznisë i drejtuar prej tij me shumë aftësi shumë herë është renditur në vende nderi.
Qazim Elbasani është ndarë nga jeta më 6 tetor 1992 në moshën 63 vjeçare, duke lënë pas një emër shumë të mirë tek sportistët dhe sportdashësit shkodranë dhe jo vetëm,
Për kontributin e tij të lartë në sport, si sportist, gjyqtar dhe trajner është dekoruar me titullin “Qytetar Nderi i Shkodrës”. Njëkohësisht, me rastin e festimeve të 100 vjetorit të SK Vllaznia, është vlerësuar nga Bashkia Shkodër si “trajner i shekullit” në mundjen klasike.
Bajram Agovi
Gjergj KOLA