Lajme të mira për peshëngritjen shkodrane. Premtimi i trajnerit Artur Lagja se Vllaznia e madhe e sukseseve po vjen, ka nisur të bëhet realitet. Ditën e djeshme ekipi U17 i Vllaznisë është shpallur kampion i vendit duke dominuar mbi të gjitha ekipet e tjera, teksa ka lënë në vendin e dytë Tiranën dhe në të tretin Elbasanin.

Një sukses mëse i merituar i djemve të këtij ekipi që stërviten plot pasion nga trajnerët Lagja e Isa Bala dhe tashmë po marrin edhe frutet e punës së bërë. Ka spikatur mbi të gjitha në këtë kampionat sportisti tashmë i njohur Antonino Mullisi i cili përveçse është shpallur kampion në peshën e tij, është shpallur edhe sportisti më i mirë i kampionatit duke meritur edhe kupën e vënë nga Federata.

Mullisi ka konkurruar në peshën 71 kg, duke ngritur 120 kg në shkëputje dhe 151 kg në shtytje. Me 271 kg në dygarësh ai nuk ka patur konkurrentë në peshën e tij dhe si rrjedhojë është shpallur kampion i vendit. Njëkohësisht ai ka thyer edhe dy rekorde kombëtare të kësaj grupmoshe dhe njëkohësisht ka fituar të drejtën për të marrë pjesë në Kampionatin Europian që zhvillohet muajin e ardhshëm në Madrid të Spanjës.

Ndërkohë peshëngritësi tjetër Klevis Bazi po ashtu ka konkurruar në peshën 71 kg, duke ngritur 80 kg në shkëputje dhe 90 kg në shtytje dhe me 170 kg në dygarësh është renditur i dyti duke u shpallur nënkampion i vendit.

Dy sportistët e tjerë të Vllaznisë, Samuel Kola dhe Ensar Prroni kanë konkurruar në peshat 61 dhe 67 kg duke u ngjitur edhe ata në podium si fitues të vendeve të treta në këto pesha. Në këtë mënyrë është mbyllur kampionati dhe në bazë të këtyre rezultateve, Vllaznia U17 është shpallur kampione e vendit për vitin 2025.(www.shkodrasport.com)