Alesandro Bastoni vë si objektiv titullin kampion, por e di që nuk do të jetë i lehtë këtë sezon. Mbrojtësi i Interit thotë se ndihet shumë mirë në Milano dhe kurrë nuk ka menduar të largohet. Ai gjithashtu tregoi se viti i kaluar mund të ishte perfekt në rast se do të bënin rrugë më të gjatë në Champions dhe nuk do të eliminoheshin kundër Atletikos së Madridit.
Si mund të përmirësohet një skuadër që është kampione?
Trajneri e përmend çdo ditë: Të fitosh është e lehtë, por ta përsërisësh suksesin është e vështirë. Duhet të gjithë të bëjmë hapa përpara, edhe në aspektin psikololgjik për të qenë ata që ishim vitin e kaluar. Vetëm kështu mund të bëjmë të njëjtat mrekullia. Bëmë një kampionat perfekt, por nuk do të jetë aspak e lehtë.
Sa e rëndësishme është vazhdimësia për këtë grup lojtarësh?
Sigurisht që kemi dëshirë për vazhdimësi. Duhet që në një skuadër të jetë një grup lojtarësh të fortë dhe me karakter. Më vjen mirë dhe ndiej krenari që jam pjesë e këtij klubi dhe e këtij grupi.
Po në aspektin personal, ku duhet të përmirësoheni më shumë?
Duhet të bëj një tjetër hap në aspektin e të qenit lider. Duhet të jem më shumë shembull për shokët e skuadrës si brenda dhe jashtë fushës së lojës.
Nëse do të zgjidhnit dy ekipe rivale që mund t’ju hapë më shumë punë kë mendoni?
Të zgjedhësh dy është e vështirë. Nga merkatoja kemi parë që shumë skuadra kanë bërë ndryshime dhe kanë marrë lojtarë të rëndësishëm. Do të jetë një kampionat shumë i vështirë dhe i hapur. Duhet të jemi të vëmendshëm në çdo ndeshje.
Kush është lojtari që e markon me dëshirë në Serinë A?
Ka shumë lojtarë: Vlahoviç është një prej tyre. Politano dhe të tjerë. Ka shumë lojtarë dhe sisteme që të vënë në vështirësi. Të gjitha skuadrat po rriten.
Po në Europë?
Dua të përballem me Realin e Madridit.
Në çfarë aspekti duhet të ndryshojë mentaliteti në Champions?
Mëkati ynë më i madh në sezonin e kaluar ishte Champions-i. Ndoshta fakti që fituam ndeshjen e parë na relaksoi disi. Duhet ta luajmë çdo ndeshje me shpirtin e duhur dhe të nxjerrim mësime nga ai eliminim. Kanë ardhur lojtarë të rëndësishëm dhe kemi besim për këtë sezon.
Ju përmendeni gjithmonë si një alternativë për t’u larguar…
Më vjen mirë që emri im qarkullon nëpër skuadra të tjera të Europës, por kur je në një vend dhe je i lumtur atëherë nuk ke ndërmend të largohesh. Këtu tek Interi më duan dhe i dua, më vlerësojnë për atë që jam dhe nuk kam arsye për t’u larguar. Unë kështu ndihem në këtë skuadër. Ndihem i rëndësishëm në këtë familje të madhe dhe nuk kam frikë të them që ndihem mirë.
Do të ishit i lumtur nëse…
Nëse fitonim titullin kampion. Për Champions-in nuk mund të zhbalancohem, por duhet të shohim përpara. Do të jem i lumtur nëse e mbyllim sezonin pa pengje.