Nga Endri ÇINARI

Belajdi Pusi po përjeton një moment me të vërtetë të jashtëzakonshëm në këtë fillim sezoni në Rusi. Shkodrani që militon në rradhët e Fakel, në ligën e dytë ruse është shndërruar në lojtarin kryesor dhe liderin e ekipit. Që në 3 ndeshjet e para sezonale ka marrë 3 fitore duke siguruar kështu 9 pikë.

E po ashtu duke hedhur një kandidaturë serioze për ngjitjen në Superligën e Rusisë në edicionin e ardhshëm. Për t’u kthyer tek Pusi, ai e ka nisur edicionin në mënyrë të shkëlqyer, duke qenë protagonist me gola dhe asiste në të gjitha ndeshjet e Fakel. Në ndeshjen e parë ish-sulmuesi i Vllaznisë gjeti golin e parë sezonal dhe të fitores 0-1 ndaj Kostroma. Por, performanca e 27-vjeçarit ka ardhur në rritje.

Ku edhe në dy fitoret pasardhëse të Fakel ndaj Ufa dhe Saratov, të dyja në shifrat 1-0, Pusi ka dhuruar asistet e golave fitimtarë. E duke merituar kështu çmimin si lojtari i muajit tek Fakel. Për ish-sulmuesin e Skënderbeut, ky është sezoni i dytë në rradhët e bardhebluve, të cilëve iu bashkua në merkaton e janarit, kur ata ishin pjesë e Superligës në Rusi. E teksa tashmë në ligën e dytë, pretendimet e klubit janë për një ngjitje sa më të shpejtë në elitë.

Përveç kampionatit rus, Pusi në të shkuarën është aktivizuar për 2.5 sezone në Azerbajxhan me skuadrat e Turan dhe Shamakhi. E teksa në vendin tonë përveç Vllaznisë ku u formua si futbollist dhe u aktivizua në ekipin e parë, ka luajtur për 3 sezone e gjysmë edhe me skuadrën e Skënderbeut.(www.shkodrasport.com)