Presidenti i FIGC-së, Gabriele Gravina, ishte i pranishëm në konferencën për shtyp të prezantimit të trajnerit të ri të Italisë, Gennaro Gattuso. Kreut të futbollit italian i takoi detyra për ta prezantuar pasuesin e Luciano Spallettit dhe për të hyrë në detaje mbi grupin axurr, që do të ndërtohet rreth figurës së trajnerit të ri:
“Gattuso është trajneri i ri i kombëtares. Ka cilësitë dhe vendosmërinë, por mbi të gjitha dëshirën për të realizuar diçka të madhe për fanellën blu dhe për vendin tonë. Kombëtares i duhet Gattuso, ai iu përgjigj menjëherë ftesës sonë pa asnjë hezitim, me të njëjtin entuziazëm që kishte kur thirrej si lojtar.
Sidoqoftë, nuk do të bëja gabimin ta reduktoja këtë pranueshmëri të tij vetëm në entuziazëm. Ka shumë më tepër; sidomos shpirtin e madh të sakrificës dhe profesionalizmin. Më ka bërë përshtypje që në fillim dëshira e tij për të vënë “ne” përpara “unë”, dërgoi mesazhe shumë të qarta me një entuziazëm të jashtëzakonshëm.
Më tha menjëherë: Askush nuk fiton vetëm. Kjo është ideja e një ekipi të vendosur dhe të bindur. Në Botëror shkojmë së bashku dhe ky është mesazhi më i bukur. Kush e do kombëtaren sot duhet të bëjë një hap përpara, të mbështesë këtë projekt për të mirën e bluve, të sportit tonë, për të mirën e futbollit”.
Për zgjedhjen e Gattusos: “Ishte një zgjedhje e përbashkët. Buffon ka qenë shumë i angazhuar dhe roli i tij ishte vendimtar për këtë projekt të ri. Zgjedhja u bë për njeriun dhe trajnerin. Jemi të bindur për cilësitë e Rinos në aspektin teknik. Ka dëshmi të qarta për aftësitë e tij dhe jam i bindur që do të jetë njeriu i rezultateve.
E njeh shumë mirë futbollin italian, mentalitetin e lojtarëve dhe presionin mediatik, pasi ka jetuar në ambiente të nxehta si Napoli dhe Milani. Unë personalisht e kam vlerësuar gjithmonë punën e tij me të rinjtë. Nuk ishte një zgjedhje e diktuar vetëm nga zemra, por i menduar mirë.
Zgjodhëm një trajner që di çfarë do të thotë të veshësh fanellën e bluve dhe nuk ka frikë nga përgjegjësitë. Ai gjithmonë e ka vënë grupin mbi gjithçka, ne si federatë do ta mbështesim për të ndërtuar një grup të bashkuar, ambicioz dhe të guximshëm. Tani ka një detyrë të vështirë, por edhe të bukur. Duhet të rikthejë entuziazmin, identitetin dhe rezultatet”.
Çfarë reflektime ka bërë këto ditë: “Kam mbledhur shumë copëza bashkë. Doja të jepja përgjigje konkrete dhe të menjëhershme. Kam një hidhërim të madh njerëzor, sepse Spalletti është njeri i jashtëzakonshëm, ndërprerja e marrëdhënies me të është plagë.
Raporti me Lucianon ka qenë i mrekullueshëm. Kishim nevojë të reagonim shpejt, të kuptonim kritikat dhe bashkë me Gattuson kemi pasur mundësinë të konfrontohemi. Ka pasur një harmoni të plotë, kemi nevojë të arrijmë rezultate të rëndësishme.”
Po me Ranierin si shkoi: “Ka pasur një ide, por para se të kontaktonim Ranierin kishim nisur tashmë një rrugëtim me një projekt alternativ. Nuk na gjeti të papërgatitur. Kam një marrëdhënie shumë të mirë me Dan Friedkin, presidentin e Romës, kemi folur me respekt maksimal, por nuk kishte kushte për të shkuar përtej. Ishte një vendim reciprok”./telesport/