Presidenti i PSG, Nasser Al-Khelaifi, ka marrë një qëndrim të qartë në prag të ndarjes së “Topit të Artë” për sezonin futbollistik 2024-2025, i cili do të përmbyllet zyrtarisht pas përfundimit të Botërorit për Klube.

Data që të gjithë presin është 22 shtatori. Vetëm atëherë bota e futbollit do të mësojë emrin e lojtarit më të mirë të vitit, në ceremoninë që do të mbahet në Paris. Nga Lamine Yamal te Ousmane Dembélé, e deri te Donnarumma, Raphinha, Vitinha e të tjerë; për momentin nuk duket se ka një favorit absolut për çmimin prestigjioz.

Megjithatë, gjithçka duket se e favorizon PSG, fituesin e Ligës së Kampionëve dhe ende në garë në Botërorin për Klube. Pikërisht për këtë arsye, presidenti i klubit francez, Nasser Al-Khelaifi, e ka bërë të qartë preferencën personale, duke mbështetur qartësisht një nga lojtarët e skuadrës së tij.

Në një intervistë dhënë pas një seance stërvitore të PSG-së në kampusin e Universitetit të Kennesaw në veri të Atlantës (Georgia), Al-Khelaifi u shpreh: “Nëse Ousmane Dembélé nuk fiton ‘Topin e Artë’, ka diçka që nuk shkon. Duke parë sezonin që ka zhvilluar, një sezon madhështor, nuk ka asnjë dyshim që duhet ta fitojë këtë çmim.

Nëse nuk e fiton, do të thotë se ekziston një problem. Ai ka bërë gjithçka që mundej. Është padyshim shumë i rëndësishëm për klubin, por gjëja më e rëndësishme është që të gjithë të luajnë për skuadrën”, – tha ai për “RMC Sport”.