“Partizani lejoi të largoheshin disa lojtarë që i kishte rritur vetë dhe mori të tjerë që pak ose aspak e njohin tipologjinë e lojës së Partizanit”. Kështu nis biseda me profesor Përparim Kabon. Një tifoz i Partizanit, i moderuar pa masë, por edhe kritik me gjendjen ku është skuadra dhe me mënyrën se si funksionon klubi.

Në intervistën për “Panorama Sport” antropologu i shquar bën edhe një analizë të gjendjes së futbollit shqiptar, ku vlerëson elementët pozitiv, por ngre edhe shqetësimin për menaxhimin që iu bëhet talenteve të reja.

Profesor, së pari duam një mendim për Partizanin e këtij sezoni… Ç’përshtypje ju ka lënë kjo skuadër?
Partizani ka mbetur i njëjti në financim nga presidenti i klubit: Një ekip solid. Ka mbetur i njëjti në tribuna sepse tifozët i ka të zjarrtë. Ka mbetur i njëjti si fanellë, si histori, si emër që të imponon respekt, por ka treguar se është një ekip deri mesatar.

Mesatar, për lojën që bën apo për cilësitë që ka? Loja nuk është qëllim në vetvete, loja ka treguesit sasiorë, por loja fitohet me cilësi loje dhe si e tillë ajo ka nevojë së paku për lojtarë cilësorë në boshtin vertikal, portë-mbrojtje-mesfushë dhe sulm. Ky bosht cilësor i mungon Partizanit, për fat të keq.


Partizani e kishte një bosht sezonin e kaluar… Pse një skuadër që “flirtoi” me titullin një vit më parë duhej të bënte kaq shumë ndryshime?

Kjo është pyetja më e drejtë dhe më e nevojshme. Partizani lejoi të largoheshin disa lojtarë që i kishte rritur vetë dhe mori të tjerë që pak ose aspak e njohin tipologjinë e lojës së Partizanit, ku kombinohet vrulli me intensitetin, guximi për të rrezikuar, por me një shpirt gare deri në sekondat e fundit. Jo çdo individ mund ta veshë atë fanellë.

Ka lojtarë tani që paguhen goxha mirë dhe nuk druaj të them se po të ishte bërë një llogari e shpenzimeve, e hyrje-daljeve pra, Partizani jo vetëm këtë vitin e fundit, por ka disa vite që lejon t’i ikin një ajkë lojtarësh. Më merr me shpenzime shumë të larta lojtarë që kanë një emër të shquar, por që emri dhe gjendja nuk përputhen. Shikoni ku luan Amir Rrahmani. Është te Napoli një titullar i padiskutueshëm në krah te Kulibalisë.

Tani unë pyes: Po ai Çani që mori para disa viteve ku është…? Iku Ekubani dhe u mor Ferhan Hasani që as nuk ishte në gjendje të vraponte, sepse vinte nga një dëmtim dhe nuk e kishte marrë veten. Iku Jasir Asani dhe luhet pastaj me lojtarë që vijnë nga ekipe inferiore. Kjo nuk është politike menaxhimi, ndaj dhe ekipi është ende me ekuilibra të brishtë dhe me rezultate mjerane.


Profesor, kush mban përgjegjësi sipas jush për këtë mënyrë menaxhimi të klubit?

Pa dashur të lëndoj askënd them se janë ata që administrojnë tregun e lojtarëve. Kjo politikë do jo vetëm zbulues talentesh, por edhe nuhatje biznesi. Ja një shembull jashtë Shqipërisë: Milani mori vitin e kaluar Tomorin nga Çelsi, por kur e pa se çfarë lojtari ishte, pa një pa dy, derdhi në arkat e londinezëve plot 28 milionë euro, aq sa ata kërkuan, pa bërë as edhe një diskutim për ulje.

Po pse? Sepse ata që drejtojnë dhe që e njohin futbollin në majë të gishtërinjve e kuptuan që ai ishte një talent që nesër në treg e shumëfishon vlerën e tij. Futbolli është lojë në fushë, por është biznes në treg dhe industri në strukturë. Menaxhimi i tij, i fondeve dhe investimeve, i hyrje-daljeve do mjeshtër. Nuk mjafton ta duash ekipin, cilido qoftë ai, në këtë rast Partizani. Kërkohet aftësi, intuitë, përvojë, kulturë tregu dhe vizion.


Ju keni një jetë që e ndiqni futbollin shqiptar dhe e keni parë Partizanin, por edhe klube të tjera të gjenden në rrethana të vështira si kjo e sotmja… Nëse ju pyesim se cila është sipas jush zgjidhja për të dalë nga kjo situatë, si do të përgjigjeshit?

E para, të kuptosh në çfarë gjendje je. Kjo nuk është e lehtë, sepse edhe nëse e kupton, teknikisht nuk të lë sedra të thuash nuk jam atje ku duhet se nuk po justifikoj investimet e bëra. Pas kësaj, nxirren në pah ku ka mangësi. Është ajo që thotë Saki: “Skuadër ke, po ekip a ke?”…

Eh, skuadra është grupi i 11 lojtarëve që luajnë e djersitin bashkë. Që kjo skuadër të jetë dhe ekip duhet luftë sportive, shpirt sakrifice, mund dhe djersë në stërvitje, punë në grup dhe punë individuale për përmirësim me objektiva të caktuara dhe afate. Dëgjoj që të thuhet që Partizani i ka dominuar ekipet, por ka gabuar. Ky arsyetim duket disi kontradiktor.


Pse?

Nëse dominon kundërshtarin, me çfarë e mat? Treguesit janë të matshëm. Është % e mbajtjes së topit. Është numri i pasimeve të sakta, janë kilometrat e bërë. Janë goditjet e lira. Janë pozicionet jashtë loje. Janë rastet dhe goditjet drejt portës, por mbi të gjitha janë golat. Kështu nis analiza, ti dominon, por nuk shënon ose pëson. Atëherë ku dominon kur nuk di të mbrohesh, kur del para portës dhe nuk shënon, kur kapesh në befasi edhe nga ekipe mesatare si Skënderbeu dhe Egnatia?!

Kështu thoshin edhe Juliano, edhe Lerda, edhe Sormani… “Ne po luajmë, ne po dominojmë, por po humbasim…”. Kjo lloj historie nuk të siguron vijueshmëri. Luhet çdo javë dhe duhen pikët, kur ato nuk vijnë, fjalët sado logjike të duken, janë të pamjaftueshme. Kjo ndodh jo vetëm në Shqipëri, por kudo ku luhet futbolli.

Si ju duket ky sezon i Kategorisë Superiore? Çfarë ju ka pëlqyer më shumë dhe çfarë nuk ju ka lënë një shije të mirë?

E ndjek dhe e dua futbollin shqiptar. Por tani pyes: Duhet thënë futbolli shqiptar apo futbolli që luhet në Shqipëri? Shqetësimi im është që të mos mbushen ekipet me lojtarë nga rajoni dhe të huaj të tjerë, ndërkohë që gjithnjë e më shumë talentet shqiptare po humbasin. Kështu, e gjithë puna që bëhet me moshat shkon dëm. Po kështu investimet, ndjenjat dhe emocionet shkojnë dëm. Kjo nuk më pëlqen.

Ne kemi një traditë në futboll dhe goxha të mirë madje. Duhet të shohim talente si Besim Fagu, Lin Shllaku, Ali Mema, Fatmir Frashëri, Refik Resmja, Skënder Halili, Skënder Jareci, Arben Minga, Skënder Hyka, si Demollari, Musta, Jani Kaçi, Përnaska, etj etj… Më ka marrë malli të shoh një Flamurtar si ai kundër Partizanit të Beogradit dhe kundër Barcelonës… Një Partizan kundër Sëlltikut apo një Tiranë kundër Ajaksit…

Çfarë më pëlqen? Po, sigurisht që ka ndeshje që më pëlqejnë apo aspekte të futbollit në tërësi dhe konkretisht. Më pëlqen fluiditeti i lojës së Vllaznisë. Ka një rrjedhshmëri model. Më pëlqen skema dhe loja në skemë e Kukësit. Më pëlqen grinta dhe egoja sportive te Tirana, më pëlqen intensiteti te Teuta, por më pëlqen puna e Memellit te Skënderbeu dhe e Gugash Maganit tek Egnatia, si dhe puna që bën trajneri i Kastriotit që përgatit talente… Gara duket e hapur dhe shumë e fortë sivjet. Ndoshta dhe aplikimi sistemit VAR ka ndihmuar deri diku, dhe impiantet ku luhet dhe ju si media dhe kthimi i publikut dhe ekspertët në pankina… E dua futbollin jo vetëm si lojë, por dhe si histori.