Qeveria shqiptare ka miratuar në Fletoren Zyrtare shumën prej 90 milionë lekësh për “Durrah City Football Academy”. Kjo Akademi pritet të fillojë nga puna në shtator, është një projekt i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit së bashku me “City Group” që zotërohet nga sheikët, klubi i tyre më i njohur është Manchester City. Edhe më parë qeveria shqiptare ka dhënë një shumë prej 20 milionë lekësh për këtë Akademi.

FINANCIMIN E VEPRIMTARISË SË FONDACIONIT “DURRAH CITY FOOTBALL ACADEMY”, PËR VITIN 2024

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 7, pika 2, dhe 19, pika 4, të ligjit nr.79/2017, “Për sportin”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Përdorimin e fondit prej 90 000 000 (nëntëdhjetë milionë) lekësh, të miratuar në buxhetin e vitit 2024, për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, në programin buxhetor 08140 “Për zhvillimin e sportit”, në llogarinë ekonomike 604 “Transferta të brendshme”, për financimin e shpenzimeve të ushtrimit të veprimtarisë së fondacionit “Durrah City Football Academy”.

Fondi i përcaktuar sipas pikës 1, të këtij vendimi, transferohet në llogarinë e fondacionit, në bankën e nivelit të dytë.

Fondacioni “Durrah City Football Academy”, brenda muajit mars të vitit 2025, dërgon në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit raportin e shpenzimeve të realizuara për vitin 2024, të miratuar nga bordi drejtues i fondacionit.

Fondet buxhetore, që do t’i akordohen fondacionit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, duhet t’i nënshtrohen rregullave të menaxhimit financiar dhe kontrollit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin financiar dhe kontrollin.

Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Sportit për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.