Ramazan Rragami ka qenë dhe mbetet një nga emrat më të shquar të futbollit shkodran dhe atij kombëtar. Rragami, i lindur në Shkodër me 3 prill 1944, ka qenë një futbollist i shquar i Vllaznisë dhe Përfaqësueses së Shqipërisë. Ai e kishte gjithë jetën e tij të lidhur me futbollin.

Që prej moshës 12-13-vjeçare dhe deri para 2-3 vitesh, para se të ndahej nga jeta, ka qenë gjithnjë protagonist në futboll për një periudhë 60-vjeçare, pa asnjë shkëputje. Falë talentit të tij, arriti të fitonte vendin te skuadra e Vllaznisë pa mbushur 17-vjeç.

Nga viti 1961 dhe deri në 1965-n, mbajti fanellën e skuadrës së qytetit të tij, pastaj luajti për Partizanin për tre vjet dhe më pas u kthye te Vllaznia. Kështu, përveç shkodranëve dhe të kuqve, Rragami ka luajtur edhe për Dinamon dhe në total ka gati 90-ndeshje ndërkombëtare.

Legjenda shkodrane numëron 20 ndeshje me Kombëtaren e Shqipërisë, që në atë kohë luante pak ndeshje ndërkombëtare. Ai do të mbetet një nga futbollistët më të mëdhenj në historinë e Kombëtares së Shqipërisë dhe futbollit shqiptar.

Suksesin si futbollist, Rragami më pas e vazhdoi edhe si trajner, duke udhëhequr Vllazninë drejt fitimit të disa trofeve, por një arritje e madhe ishte ajo në krye të ekipit Shpresa të Shqipërisë në vitin 1983, kur ajo doli mes tetë më të mirave të Europës. Poashtu, si ndihmës trajner i dytë i Shqipërisë U-21, së bashku me Shyqyri Rrelin, e shpalli këtë skuadër kampione Ballkani në vitet 1978 dhe 1981.

Vlerësimet për të kanë qenë maksimale, teksa ai është nderuar në vitin 1966 me Kupën e Republikës, kur ishte me ekipin e Partizanit. Në vitin 1971, fitoi Kupën e Ballkanit po me ekipin e Partizanit.

Në sezonin 1971-72, fitoi titullin kampion dhe Kupën e Republikës me ekipin e Vllaznisë. Në sezonin 1973-74, shpallet kampion i Shqipërisë me ekipin e Vllaznisë. Në vitin 1967, ka marrë titullin “Mjeshtër Sporti”, ndërkohë që në vitin 1974, ka marrë titullin “Mjeshtër i Merituar i Sportit”.

Në vitin 1999, është nderuar me titullin “Nderi i Sportit Shqiptar” dhe po këtë vit ka marrë edhe titullin “Krenaria e qytetit të Shkodrës”. Në vitin 2004, është nderuar nga FSHF me titullin “Nderi i Futbollit Shqiptar”. Ndërkohë që në vitin 2019, me rastin e 100-vjetorit të klubit Vllaznia, u nderua nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.

Profesor Zani është fitues i anketës “11-shi i artë”, organizuar me rastin e 80-vjetorit të KF Vllaznia dhe fitues i anketës “11-shi më i mirë i shekullit”, organizuar nga FSHF më 1998.

Rragami ka një jetë të mbushur me suksese në futboll, teksa do të mbahet mend edhe si futbollisti që detyroi UEFA-n, që të vendosë një rregull të ri për gjuajten e penalltive: “Një futbollist nuk mund të gjuajë më shumë se një goditje”.

Megjithatë, çfarë ndodhi? Plot 46 vite më parë luhej finalja e Kupës së Shqipërisë, Vllaznia-Besa, më saktë ndeshja e kthimit, pasi bëhej me dy takime.

Fundi i kësaj finaleje mbart në vetvete edhe një ndryshim rrënjësor në futbollin europian që doli pikërisht nga ky takim. Takimi i parë në Kavajë kishte përfunduar 2-0 për vendësit dhe po aq përfundoi edhe ndeshja e kthimit në Shkodër. Vendësit arritën të kthenin gjithçka falë dy penalltive të kthyera në gol nga Ramazan Rragami.

Kështu, takimi shkoi në shtesë dhe më pas sërish te pika e bardhë e 11-metërshave. Për Vllazninë, te pika e bardhë u afrua për pesë herë radhazi sërish Ramazan Rragami, duke shënuar që të pesta goditjet e bëra. Ndërkohë nga ana tjetër, kavajasit arritën të shënonin vetëm tri penallti, pasi e fundit nuk u gjuajt fare për shkak se nuk vlente më, sepse njëra prej tyre ishte pritur mjeshtërisht nga ish-legjenda e portës kuqeblu, Paulin Ndoja.

Nuk kishte ndodhur kurrë më parë në futbollin botëror që një futbollist të gjuante të gjitha penalltitë. Atëherë nuk ekzistonte rregulli që një futbollist duhet të gjuajë vetëm një penallti dhe ky fakt bëri aq bujë, sa UEFA vendosi të ndryshojë rregullin e gjuajtjes së penalltive nga i njëjti person.

Deri në atë vit, kur ndeshja shkonte drejt penalltive, ishte rregull që pesë penalltitë e një ekipi i gjuante vetëm një lojtar. Rragami me saktësinë e tij, bëri që gjërat të ndryshojnë. Rregulli i ri që u vendos më pas nga institucioni i futbollit europian, teksa bëri që 11-metërshat të ekzekutoheshin nga pesë futbollistë të ndryshëm. Në fakt, bëhet fjalë vetëm për penalltitë pas kohës së rregullt dhe shtesës.

Rragami u nda nga jeta në 15 janar të këtij viti, teksa ai do të mbetet një nga futbollistët më të mëdhenj në historinë e Kombëtares së Shqipërisë dhe futbollit shkodran. “Shkodra Sport” do ta kujtojë dhe do ta nderojë gjithmonë kontributin që Ramazan Rragami ka dhënë për futbollin shqiptar dhe futbollin shkodran, në veçanti.
Maringlen ZHIVANI