Pasi u transferua nga Milani te Mançester Siti në fillim të afatit kalimtar të qershorit, Tizhani Reijnders pati një ndikim të menjëhershëm në Kupën e Botës për Klube dhe tani po përgatitet për debutimin e tij në Premier Ligë. Sezoni 2025-26 hapet sot për “Qytetarët” në transfertën kundër Uolvesit dhe mesfushori holandez mezi pret të hyjë në fushë.

“Të gjithë flasin gjithmonë për Premier Ligën. Tani që do të luaj këtu është një ndjenjë e jashtëzakonshme. Mezi pres të përjetoj ritmin e lojës dhe cilësinë e lojtarëve. Jam vërtet i emocionuar, mezi pres. Kam luajtur kundër Uest Hem në të kaluarën dhe kam ndjerë fizikalitetin e një skuadre angleze. I njoh pak skuadrat angleze. Pres me padurim duelet në mesfushë me kundërshtarët e mi të drejtpërdrejtë dhe dua të tregoj cilësitë e mia.”

Lidhur me stërvitjen verore dhe qëllimet e tij: “Përgatitja shkoi mirë. Ishte e vështirë, por ne jemi gati dhe unë jam 100%. Për mua, tani bëhet fjalë për të fituar trofe me këtë klub. Të luaj në Premier Ligë, Ligën e Kampioneve dhe të garoj për trofe çdo vit.”

Sa i përket mundësisë së punës me Pep Guardiolën: “Është një burim krenarie, ai është një nga trajnerët më të mirë që ekziston. Të bëhesh një mesfushor më i kompletuar është arsyeja pse zgjodha Mançester Sitin. Pata një sezon të mirë me Milanin, por dëshiroj të përmirësohem. Do të përpiqem të arrij kulmin tim këtu. Me një trajner dhe një ekip si ky, mendoj se mund të bëj ato hapa përpara më shpejt dhe mendoj se do të mësoj shumë”, tha ai për kanalet zyrtare të klubit anglez.