Një arritje fantastike për Kastriotin gjatë këtij sezoni në Kategorinë e Parë, teksa është ngjitur zyrtarisht me Tiranën në elitën e futbollit shqiptar.

Shumë punë dhe pak diskutime në media, kjo ishte formula e suksesit për trajnerin e Kastriotit, Samuel Nikaj.

Në një intervistë për “Vip Sport”, Nikaj për të treguar situatën e këtij edicioni mes Kastriotit dhe Tiranës, ka ndërtuar një paralelizëm në futbollin europian mes Realit dhe Atletiko Madridit.

Kastrioti ka festuar ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar. Cilat janë emocionet e para për këtë arritje dhe sa e keni besuar në fillimin e kampionatit, se do të ishit ju kryesuesit e Grupit A?

Sigurisht që fillimisht jemi shumë të emocionuar pasi kemi arritur një objektiv madhor. Që në ditën e parë të punës kam besuar te lojtarët, pasi kisha lojtarë me eksperiencë dhe këtë sukses mund të them se e kisha parashikuar edhe më parë.

Në fund, kemi arritur të kurorëzohemi me shumë meritë në vendin e parë.

Ekipi i Kastriotit e ka dominuar thuajse gjatë gjithë sezonit grupin e veriut. A ka pasur ndonjë moment gjatë këtij sezoni, kur keni menduar se ishit duke e rrezikuar ngjitjen në Superiore?

Kemi udhëhequr që në javën e parë grupin tonë dhe në asnjë moment nuk e kemi diskutuar ngjitjen në Superiore. Megjithatë duhet të përmend këtu 3 ndeshje kyçe të kampionatit, në të cilat ia kemi dalë në të treja.

Fillimisht takimin në Kavajë që e kemi fituar me rezultatin 0-1, atë në Lezhë të mbyllur me rezultatin 0-2 dhe në Dibër ku ia kemi dalë me shifrat 0-1. Këto ishin ndeshjet e qetësisë për ne.

Faktikisht në Shqipëri nuk kanë munguar rastet kur trajneri është larguar pavarësisht rezultateve të arritura. Mund ta konfirmoni faktin se do të vazhdoni në drejtimin e Kastriotit edhe në sezonin e ardhshëm?

Largimet e trajnerëve ndodhin në futboll, por e rëndësishme për ne është që të mbahemi mend për mirë në klubet ku ne punojmë.

Për momentin është ende herët për të konfirmuar largimin apo qëndrimin tim, por personalisht jam i kënaqur me bashkëpunimin tim me drejtuesit dhe lojtarët.

Meqë jemi në këtë temë, sa të vështirë e shihni ju punën e një trajneri në Shqipëri? Cila është problematika kryesore që hasni më shpesh?

Puna e trajneri është shumë e vështirë pasi duhet të kënaqësh drejtuesit, lojtarët dhe tifozët. Ne duhet t’i fitojmë takimet, por edhe të dhurojmë spektakël, pasi ka raste që drejtuesit nuk kënaqen vetëm me rezultate.

Futbolli shihet në këndvështrime të ndryshme dhe për të flasin të gjithë, pa dallime.

A jeni të përgatitur për Superioren? Duke ditur faktin se këtë vit rrezikojnë rënien dy ekipet e sapo ngjitura, ku e sheh veten Kastrioti në sezonin e ardhshëm?

Për momentin unë nuk mendoj për Superioren, janë drejtuesit e klubit që duhet të mendojnë për të. Sa i përket ekipeve që ngjiten nga Kategoria e Parë në elitën e futbollit shqiptar, nuk është kusht që të rrëzohen sërish.

Nëse klubi ka menaxhim të mirë, atëherë mund t’ia dalësh. Shembull në këtë rast është Luftëtari që ka bërë gjithçka në mënyrën e duhur gjatë këtyre 2 viteve.

Vëmendja gjatë gjithë kësaj kohe ishte te Tirana, por faktikisht edhe pse me një buxhet modest, Kastrioti ka pasur më pak luhatje në Kategorinë e Parë. Si e komentoni vëmendjen e pakët për punën tuaj, edhe pse arritja është më e madhe?

Nëse mund të hiqja një paralelizëm, të gjithë flasin për rezultatet e Realit të Madridit, por dëgjojmë shumë pak për ekipin tjetër të këtij qyteti, atë të Atletikos.

Këta të fundit me 1/3-ën e buxhetit të Realit kanë arritur të fitojnë tituj dhe ta rivalizojnë atë në finalet e “Champions League”.

Gjatë këtij sezoni në Superiore, arbitrat ishin kryefjala e vetme e kampionatit. I trembeni gjykimit në elitën e futbollit shqiptar?

Faktikisht, unë kam një rregull që ia kam vendosur vetvetes, nuk flas kurrë për gjykimin. Futbolli është një lojë gabimesh dhe nëse këtu gabojnë presidentët, trajnerët, futbollistët, nuk mund të përjashtojmë gabimet e arbitrave.

Vllaznia është duke vuajtur edhe këtë sezon, teksa rrezikon seriozisht rënien nga Kategoria. Çfarë nuk shkon realisht në këtë ekip dhe sa ka ndikuar presidenti i munguar i ekipit në këto rezultate, në një kohë kur aktorët kryesor janë futbollistët?

“Peshku qelbet nga koka”, kjo shprehje e përshkruan situatën e Vllaznisë. Ata kanë marrë lojtarë shumë të mirë dhe trajnerin kampion, por sërish nuk po arrijnë të gjejnë rezultate.

Nëse harxhon 900 milion lek në vit dhe lufton për mbijetesë, atëherë kjo tregon se drejtuesit e lartë janë të paaftë.