Nga Gjergj KOLA
Vllaznia në atletikë për meshkuj ia doli të fitonte titullin e 17-të kampion rradhazi dhe të 29-tin në historinë e saj. Një sukses i jashtëzakonshëm që vjen falë punës së bërë dhe elementit cilësor që ajo ka në përbërjen e saj. Njëri prej kampionëve kuqeblu është edhe Leandro Çardaku.
20 vjeçari ka arritur të shpallet kampion kombëtar në disiplinën e 100 metrave duke u rikonfirmuar edhe njëherë tjetër si atleti më i shpejtë në Shqipëri. Por për të rëndësi nuk ka vetëm vendi i parë. Shumë e rëndësishme është edhe koha me të cilat i ka përshkruar këto 100 metra dhe ajo ka qenë 10″80.
Një rezultat shumë i mirë që të jep premisat edhe për thyerjen e rekordit kombëtar të kësaj gare që është i vendosur nga një tjetër atlet shkodran, pikërisht Arben Makaj më 16 qershor 2003 në Donnas të Italisë, pra plot 22 vjet më parë, me rezultatin 10″56.
Duke folur për suksesin e këtyre ditëve dhe synimet e tij për të ardhmen, Leandro për gazetën “SHKODRA SPORT” do të shprehej: “Jam shumë i lumtur dhe shumë krenar që arrita të dal kampion sërish kampion sepse vitin e kaluar ishte një moment shumë i vështirë për mua sepse dëmtimet më lanë prapa. Por me ndihmën e trajnerit tim arrita që të rikthehesha në formën time edhe të bëja një kohë shumë të mirë.
Zura vendin e parë dhe u shpalla kampion në 100 metra dhe të shpallem për herë të tretë kampion i Shqipërisë. E rëndësishme për mua është të vazhdoj me këtë ritëm dhe me siguri që edhe rezultatet do të vijnë duke u rritur. Synimet e mia janë të pse jo edhe të thyej rekordet kombëtare dhe kuptohet që jam i përqendruar tek 100 metërshi sepse kjo është gara ime e preferuar”.
Po kujt ia dedikon Leandro Çardaku këtë suksesin e fundit? Ja si përgjigjet ai: “Norma që në rradhë të parë familjes e cila ka qenë mbështetja ime e madhe, por edhe trajnerit tim Albert Marashi, sepse falë tij jam këtu ku jam sot”.(www.shkodrasport.com)
