Nga Endri ÇINARI

Një lëvizje të papritur ka bërë në merkaton verore, Rubin Hebaj. Sulmuesi i cili i ishte bashkuar para pak muajsh ekipit të Nasaf në Uzbekistan, ka ndërruar sërish skuadër. Një lajm të tillë e ka bërë vet të ditur 26-vjeçari falë një postimi në rrjetet sociale. Kështu shkodrani ka ndërruar skuadër, por jo kampionat.

Kjo pasi tashmë do jetë pjesë e ekipit të Sogdiana, që militon në elitën e futbollit uzbek. Sipas asaj çfarë mësohet minutat e munguara tek skuadra e Nasaf kanë shtyrë Hebajn për të ndryshuar ambient për pjesën e ngelur të kampionatit në Uzbekistan. Sogdiana aktualisht ndodhen në luftë për mbijetesë në kampionatin e Uzbekistanit, ku pas 14 javësh ka grumbulluar vetëm 13 pikë.

Duke qenë kështu vetëm një pikë sipër vendit të 14-të që mbahet nga Buxoro dhe është pozicion që luan për “play out” për të mos u rrëzuar nga liga në fund të edicionit. Tashmë tek Hebaj ata shohin futbollistin që mund t’i udhëheqë me gola dhe nxjerrë nga lufta për mbijetesën. Për shtatlartin, Sogdiana do jetë ekipi i 11-të në karrierë.

Ku më parë në Shqipëri është aktivizuar me Vllazninë, Partizanin dhe Teutën, në Maqedoninë e Veriut me Shkëndijën, në Slloveni me Domzale, në Ukrainë me Vorskla Poltava, në Arabinë Saudite me Al Orubah, në Tunizi me Sfaxien e teksa në Uzbekistan ka provuar edhe aventurat me skuadrat e Andijan dhe Nasaf.(www.shkodraport.com)