Saimir Patushi kthehet të flasë për Vllazninë. Ish-mesfushori i kuqebluve, që ka luajtur edhe me Tiranën, në një intervistë për “Panorama Sport” sqaroi situatën te shkodranët dhe në kampionatin shqiptar. Ish- futbollisti i njohur foli edhe kampionatin shqiptar dhe sesi ka ndryshuar me “Final 4”. Në fund ishmesfushori ka një këshillë për trajnerin Tomas Brdariç.
Patushi, thuajse mbyllja e fazës së parë në Superiore, si e keni parë kampionatin deri tani?
Deri më tani nuk kam parë ndonjë skuadër të stabilizuar dhe që krijon diferencën. Kam parë ekipe me plot ulje dhe ngritje e kjo patjetër ndikon tek ajo çfarë dhurojnë ekipet. Besoj se duhet të presim edhe pak për të dhënë një mendim ose verdikt më të saktë.
Çfarë mund të presim nga javët e ardhshme?
Nuk besoj se do të ketë ndryshime të mëdha. Nuk shoh ekip që mund të kryesojnë bindshëm dhe të “zhduken” në krye të tabelës. Këtu fajtor disi është edhe formula e kampionatit. “Final 4” sikur i vë ekipet në “gjumë” gjatë sezonit, sepse i bëjnë llogaritë mirë. E kam thënë shpesh se kjo formulë lë për të dëshiruar dhe nuk më pëlqen.
Ndalemi pak te Vllaznia, një skuadër ku keni lënë kujtime të bukura. Një ekip simpatik apo jo?
Vllaznia është me meritë në vendet e para të kampionatit dhe më vjen mirë që ndodhet aty. Këtë sezon shoh edhe diçka shumë pozitive te skuadra që më ka pëlqyer. Aktivizimi i lojtarëve nga akademia, djem shkodranë që e njohin mentalitetin e skuadrës dhe që dinë të luajnë futboll. Nëse kam një kritikë ajo do të ishte për mbrojtjen. Aty duhet të ndërhyjë trajneri Brdariç dhe të bëjë rregullimet e tij.