HomeFUTBOLL - KATEGORIA E PARESamuel Nikaj: Mbijetesa, objektivi ynë primar

Samuel Nikaj: Mbijetesa, objektivi ynë primar

Burreli u ndal në barazim në javën e tretë në Gjirokastër, por për trajnerin Samuel Nikaj kjo pikë vlen shumë për skuadrën matjane. Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes, ai zbuloi edhe objektivat e këtij sezoni, ku theksoi se mbijetesa është prioriteti kryesor.

Nikaj, sa i kënaqur jeni me barazimin në Gjirokastër?
Duke ditur që fusha e Gjirokastrës është e vështirë, ne kishim ardhur për dy rezultate: barazim ose fitore. Mendoj se në fund, rezultati më i drejtë ishte barazimi, duke u nisur nga ajo që prodhoi loja. Edhe mund ta fitonim, pasi goditëm shtyllën, por edhe mund të humbnim, sepse Luftëtari është një ekip me traditë. Gjithsesi, një pikë është e mjaftueshme dhe duhet të jemi të kënaqur. Ky kampionat është shumë i gjatë dhe i vështirë, pasi të gjitha skuadrat janë pothuajse në të njëjtin nivel.

Me çfarë objektivi keni marrë drejtimin e Burrelit?
Për ta thënë të drejtën, këtë sezon objektivat i kemi minimale. Po punojmë për të nxjerrë lojtarë të rinj të denjë për treg, siç ishte rasti i Farrukut që këtë verë kaloi te Dinamo. Kemi disa lojtarë premtues që do t’i rrisim gradualisht. Objektivi ynë kryesor është të mos rrezikojmë rënien nga kategoria. Mosrënia është primare dhe bazike për Burrelin këtë sezon. Pastaj, sa më lart të jemi, aq më mirë. Nëse arrijmë të jemi në gjashtë vendet e para, do të ishte një bonus i madh, duke krijuar stabilitet dhe një profil të qartë për ekipin, që gjithmonë ka qenë “kockë e fortë” për çdo kundërshtar. Ngjitja në Superiore nuk është objektiv këtë sezon.

Cila është arma më e fortë e Burrelit këtë sezon?
Kemi punuar për të ndërtuar një skuadër kompakte, që luan mirë në të dyja fazat. Nëse sulmi nuk e ndihmon mbrojtjen, mbrojtësit do ta kenë të vështirë të paraqiten mirë. E njëjta vlen edhe për sulmin: nëse loja nuk nis nga poshtë, nga mbrojtja, nuk mund të kemi organizim. Kemi një skuadër kompakte, pa yje. I vetmi lojtar me mentalitet ndryshe është Mëllugja, i mësuar të luajë në nivele të larta, në Superiore, dhe me lidershipin e tij na ka dhënë stabilitet. Edhe ndaj Luftëtarit, siç u pa, ishte i vetmi që në minutat e fundit i jepte ndeshjes impulse për ta fituar, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës mendonte se një pikë në Gjirokastër ishte shumë e mirë. Ndaj them se jemi ndarë mirë me një pikë dhe hap pas hapi do të mbledhim sa më shumë, duke e parë çdo ndeshje si finale. Vetëm kështu do të qëndrojmë larg zonës së ftohtë.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments