Suksesi i Erzenit në këtë pjesë të parë të sezonit nuk u dedikohet vetëm lojtarëve, por mbi të gjitha stafit që drejton këtë grup që prej muajit gusht. Përveç Xhevahir Kapllanit si kryetrajner, Alfred Deliallisit si zv.trajner dhe Kujtim Shtamës si trajner portierësh, një meritë të madhe ka përgatitësi atletik i ekipit, Aurel Locaj.
Ky i fundit është njëkohësisht edhe pjesë e stafit të Kombëtares U-19, ndërsa dje në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, tregoi të pathënat e suksesit të shijakasve, si dhe detaje të punës së tij.
Aurel, jeni pjesë e Erzenit që prej verës. Çfarë ju bindi të bashkoheshit me stafin e shijakasve?
Realisht më parë kisha refuzuar 2-3 oferta, sepse në futbollin shqiptar s’ke garanci. Megjithatë, sa i përket Erzenit, pas shumë bisedash që pata me trajnerin Xhevahir Kapllani dhe më pas me bordin drejtues të klubit, më përcollën një adrenalinë të parefuzueshme.
Në syrin e një përgatitësi atletik, si e shikoni ecurinë e ekipit deri më tani?
Deri më tani jemi mirë dhe shpresoj të kemi këtë ecuri. Jemi brenda objektivit. Në kampionatin tonë nuk mund të bësh llogari matematikore, por mendoj se kemi arritur 49% të punës.
Çfarë ka të veçantë ky grup lojtarësh në krahasim me klubet e tjera ku keni punuar në të kaluarën?
Ky nuk është një grup, por realisht një familje e madhe. Nëse do të arrijmë objektivin, do të kërkoj pasaportizimin në Shijak (qesh). Kur punoj në grup, s’kam objektiva personalë. Unë si përgatitës atletik thjesht dua të kemi sa më pak dëmtime gjatë vitit dhe lojtarët që stërvisim të vrapojnë më shumë se kundërshtarët.
Nga fillimi i sezonit dhe deri më tani keni pasur vetëm 3 dëmtime, pikërisht Peposhi, Krasniqi, Ademi. Cili është sekreti i punës suaj?
Sekretin s’mund ta tregoj, se pastaj nuk do të quhej më i tillë, por mund të flas për sa u përket riaftësimeve, pasi kemi një staf mjekësor cilësor dhe mbi të gjitha një bashkëpunim të shkëlqyer. Gjithashtu lojtarët janë shumë profesionistë dhe ndjekin me përpikëri protokollin e punës.
Të shumta janë skuadrat në Superiore që kanë pasur probleme me lojtarët e dëmtuar në këtë periudhë. Cilët janë shkaqet më kryesore sipas asaj që ju keni konstatuar?
Në vendin tonë shpeshherë terrenet janë shkaku kryesor i dëmtimeve të lojtarëve. Gjithashtu mungon edhe monitorimi i lojtarëve 24 orë në 24. Fatkeqësisht ka raste që përgatitës atletikë të ndryshëm apo trajnerë, nuk punojnë në sinkron me njëritjetrin. Pra, nuk ndjekin një protokoll pune. Vitet e fundit në Shqipëri po investohet për rolin e përgatitësit atletik nga ana e FSHF-së, ku specialistë të ndryshëm të fushës, siç është profesor Iris Selimi, Luixhi Febrari etj., japin leksione dhe ndihmojnë me studime bashkëkohore për rritjen e këtij roli.
Keni qenë një faktor ose le të themi iniciator i festimeve në dhomat e zhveshjes që janë bërë virale në rrjetet sociale. Si ju lindi ideja e këtyre surprizave, për më tepër duke imituar sistemin VAR?
(qesh) Herën e parë kur u publikua nga rrjetet sociale të klubit, u kuptua si ironi ndaj arbitrave, por e vërteta nuk është ajo. Gjatë lojërave në seancat stërvitore, shpeshherë për argëtim, bëj sikur përdor sistemin VAR, që të ndihmoj ekipin, i cili po humbet dhe kur fituam ndeshjen e parë, pikërisht me ndërhyrjen e teknologjisë, ishin lojtarët që ma kërkuan të rikonfirmoj golin në dhoma gjatë festës.
Ju thatë që Erzeni është si familje e madhe, sa besoni se do të vazhdojë kaq i bashkuar ky grup lojtarësh?
Po, jemi familje e madhe. Jemi shumë pranë njëri-tjetrit, brenda dhe jashtë fushës. Mesazhin dëshirojmë ta përcjellim me punë dhe garantoj që do të japim gjithçka për arritjen e objektivit. Meqë më jepet rasti, doja të bëja një urim për të gjithë tifozët e Erzenit dhe Shqiptarisë. Gëzuar festat e fundvitit dhe mbarësi në familjet tuaja.