Dy afrimet e fundit në merkato tek Vllaznia me të vërtetë kanë “nxehur” dhe emocionuar më shumë ambientin e futbollit në Shkodër. Prezantimi dhe zyrtarizimi i futbollistëve si Lirim Kastrati apo Sherif Kallaku, mund t’i cilësojnë shkodranët si “mbretërit” e kësaj merkato verore në Superligë. Me dy futbollistët e afruar që shtojnë shumë cilësinë, por edhe eksperiencën në kampionatet e ndryshme jashtë vendit tek ekipi i Martinit.
Dhe pikërisht nga Kastrati dhe Kallaku pritet të bëhet diferenca, duke mos përjashtuar as emrat e rëndësishëm si Balaj apo Mala, që Vllaznia ka në skuadër.
Si Kallaku që e njeh mirë kampionatin shqiptar, por edhe Kastrati që për herë të parë do luajë në Superiore mund të garantojnë shumë fantazi, por edhe shpejtësi në fazën sulmuese të ekipit. Cilësi që ndoshta i kanë munguar skuadrës dhe që pritet të plotësohen nga dyshja e ardhur së fundmi.
Nga të dy lojtarët pritet shumë jo vetëm në klub, por edhe në mbarë opinionin sportiv. Dhe një lloj “presioni” qëndron për Kastratin dhe Kallakun, që duhet të tregojnë vlerat e tyre në fushë. Duke u bazuar në CV-t e secilit, që janë goxha të pasura dhe tregojnë për futbollistë që arrijnë të bëjnë diferencën. Tashmë për të vërtetuar vlerat e secilit duhet pritur nisja e kampionatit dhe performancat që do japin jo vetëm Kastrati e Kallaku në fushën e lojës, por të gjithë futbollistët e skuadrës shkodrane.