Shqipëria mbetet kryeqendra kontinentale e basketbollit për të rinj. Këtë të shtunë, më 5 korrik, në Shkodër nis Europiani i 16-vjeçarëve, Divizioni C, që kulmon me finalen e 13 korrikut. Shqipëria debuton ndaj Maltës, ndërsa në Grupin A kanë edhe Moldavinë e Armeninë.
“Këtë vit jemi edhe qyteti europian i sportit, ky aktivitet ndërkombëtar është si qershia në tortë. Kemi marrë të gjitha masat që një javë çdo gjë të shkojë sa më mirë”, tha Auron Miloti, drejtor i sporteve në Bashkinë Shkodër.
Më pas, nga data 19 deri më 27 korrik, në Tiranë zhvillohet Europiani i 18-vjeçarëve për djem, në të cilin marrin pjesë 10 ekipe.
“Vjet me U-16 arritëm medalje argjendi, por nuk u vëmë presion lojtarëve. Ndërsa me U-18 jemi pretendentë për titullin”, u shpreh Franko Bushati, sekretar i Federatës së Basketbollit.
Ky është viti i gjashtë me radhë, që Europianët e moshave zhvillohen në vendin tonë.

