Nga Gjergj KOLA
Portieri shkodran Gabriel Guri do të jetë pjesë e ekipit Sassuolo U20 në sezonin e ri. 19 vjeçari nga Velipoja ka kaluar jo pak peripeci kohët e fundit që pas largimit nga francezët e PSG dhe më në fund duket se po merr frymë lirshëm, duke vijuar të ndjekë ëndrrën e tij për të bërë karrierë në futbollin europian.
Guri ditën e sotme ka qenë në pankinën e Sassuolos në ndeshjen e kampionatit ndaj Torinos dhe skuadra e tij fitoi 2-1. Në këtë sukses kontribuoi edhe shkodrani tjetër që është pjesë e këtij ekipi, sulmuesi Gabriel Kulla.
Për portierin Guri tashmë sfida e madhe është të fitojë sa më shpejt një vend titullari dhe garën e ka me Nyarko. Ai po punon fort për këtë dhe ndonëse pak me vonesë me përgatitjet, po shfaq shumë dëshirë për të rikuperuar kohën e humbur dhe me shumë mundësi shumë shpejt do të jetë në katërkëndëshin e portës së Sassuolo U20.
Në foto, ai është sot pas ndeshjes ndaj Torinos, sëbashku me tre shkodranët e tjerë, kolegun e ekipit Gabriel Kulla si dhe dy menaxherët e tij, Benardin Kulla dhe Fatmir Marku të cilët kanë qenë të pranishëm në stadium për ta ndjekur këtë takim.
Menaxherët e tij kanë një rol shumë të rëndësishëm në transferimin e tij tek Sassuolo, pas largimit nga PSG dhe Le Havre. Gabriel Guri kaloi disa muaj pa ekip dhe u stërvit në Shkodër, por tashmë duket se problemet kanë kaluar dhe ai është gati të tregojë vlerat e tij në futbollin italian me skuadrën e tij të re.(www.shkodrasport.com)