Kombëtarja shqiptare e futbollit është kthyer sot pasdite për herë të parë në fushën stërvitore që pas pjesëmarrjes në Euro 2024. Kuqezinjtë janë vënë në urdhrat e trajnerit Silvinjo për të përgatitur ndeshjet kundër Ukrainës dhe Gjeorgjisë, të vlefshme për Ligën e Kombeve ku kuqezinjtë janë në Ligën B.
Në stërvitjen e sotme mungonin katër futbollistë të cilët vetëm nesër do të jenë në dispozicion të teknikut. Uzuni, i ftuar nga lista shtesë pas mungesës së Brojës, vjen sot në darkë për t’u ribashkuar me ekipin.
Gjatë ditës së nesërme mbërrijnë më pas Mitaj, Mihaj dhe Asani, për të plotësuar skuadrën që Silvinjo do të ketë në dispozicion për të dy ndeshjet.
Stërvitja e sotme ishte kryesisht me karakter fizik pasi lojtarët vinin nga ndeshjet me skuadrat përkatëse. Por në fund, kishte edhe një test të vogël të kuqezinjve me lojtarët e ekipit U21, të cilët gjithashtu janë grumbulluar për ndeshjet kualifikuese të Europianit.