Në fund, Interi ia doli. Pas një gjysmëfinaleje epike në ndeshjen e kthimit, skuadra e Simone Inzaghit mundi 4-3 Barcelonën, pas barazimit 3-3 në ndeshjen e parë, duke u kualifikuar në finalen e madhe të Mynihut.

Feston e gjithë skuadra, feston edhe trajneri zikaltër, i përfshirë emocionalisht në pankinë dhe protagonist i një festimi të ndjerë pas golave të lojtarëve të tij.

Ja fjalët e Inzaghit pas ndeshjes, i cili foli për “Sky Sport” për fitoren e jashtëzakonshme të Interit dhe kualifikimin në finalen e madhe: “Duhet t’i bëjmë komplimente edhe Barcelonës, sepse përballuam një skuadër vërtet të fortë. Ishte i nevojshëm një Inter super, super.

Duartrokitje për këta djem që këtu dhe në Barcelonë bënë dy paraqitje monstruoze, pa të cilat nuk do ta kishim arritur finalen. Ndihem shumë krenar dhe i lumtur që jam trajneri i tyre, dhanë gjithçka që kishin. Edhe zëvendësimet na ndihmuan shumë. Është e drejtë që djemtë ta shijojnë këtë moment në stadiumin tonë, përpara njerëzve tanë.

Djemtë ishin shembullorë. U thashë atyre se ndërrimet do të na ndihmonin, se duhet të besonim. Duhej të përpiqeshim ta kufizonim një skuadër që nuk është aspak e lehtë për t’u ndalur. Kishim Lautaron, Thuram, Dumfries, Frattesi, që dje nuk arriti të stërvitej. Me zemër kaluam çdo pengesë.

U përpoqëm të luanim me armët dhe cilësitë tona. E njihnim Barcelonën dhe pas ndeshjes së parë e kishim të qartë çfarë duhej bërë. Sidoqoftë, pa sakrificën dhe ndihmën e të gjithëve nuk do të ishte e mundur. Pamë një Inter që dha zemrën dhe që nuk ishte kurrë mendjemadh”.

Trajneri zikaltër mbeti i impresionuar nga De Jong: “Është folur shumë për Yamal, por unë pashë një tjetër lojtar të jashtëzakonshëm, që dy vite më parë kundër nesh mungoi për shkak dëmtimi; De Jong. Më la përshtypje në nivelet e Yamal, kontrollon çdo top të dytë, është gjithmonë në pozicion të saktë, ndihmon mbrojtjen. Lojtarët e mi nuk do t’i ndërroja me askënd në botë, por duhet ta them që De Jong është vërtet sensacional”.