Nga Endri ÇINARI

Duhej të ishte ndoshta i larguari i parë zyrtar nga Vllaznia, por diçka e tillë ende nuk është konfirmuar nga klubi apo lojtari. Fjala është për Marko Juriç, mbrojtësin kroat i cili në 3 sezonet e fundit ka qenë pjesë, por që nuk u aktivizua thuajse asnjë minutë në pjesën e dytë të sezonit 2024-25. Duke qenë në një farë mënyrë “i përjashtuar” nga skuadra, pavarësisht se kontrata e lidhte me klubin kuqeblu deri në fundin e këtij edicioni.

Megjithatë një zyrtarizim për largimin e tij ende po mungon, megjithëse gjithçka mund të konsiderohet e përfunduar mes 9 herë kampionëve të vendit dhe shtatlartit. Një situatë konfuze po ashtu ka edhe për mbrojtësin tjetër, Melos Bajrami. Ish-futbollisiti i Skënderbeut ishte një lojtar goxha stabil gjatë edicionit të shkuar, duke zhvilluar 29 ndeshje në kampionat e madje duke shënuar edhe 2 gola.

Por, edhe e ardhmja e 23-vjeçarit duket se nuk do jetë në Shkodër. Kontaktet për një rinovim të mundshëm midis drejtuesve të klubit shkodran dhe kosovarit kanë munguar.

Duke lënë të nënkuptohet se edhe mëngjërashi nuk është në planet e stafit për sezonin 2025-26. Në këtë mënyrë reparti i prapavijës tek Vllaznia duket se do riformatohet totalisht, ku pas largimit të Stojanoviç tashmë rradhën do e kenë edhe Juriç e Bajrami.(www.shkodrasport.com)