Klubi i Lushnjës ka prezantuar sot trajnerin e ri që do të drejtojë ekipin në vijimin e sezonit pas largimit të Gugash Maganit. Në praninë e kryebashkiakes Eriselda Sefa si dhe të drejtuesve të klubit, para ekipit është prezantuar një emër i njohur i klubit lushnjar, ish-mbrojtësi Erion Xhafa.
Ky i fundit, pasi ka mbajtur për shumë vite veshur fanellën e kësaj skuadre, tashmë do të ndërmarrë hapin e rëndësishëm të trajnerit, duke shpresuar që të rregullojë disi bilancin e këtij sezoni që e sheh deri tani Lushnjen larg pretendimeve që ka.
“Gjej një ekip të mirë, një ambient të mirë, se kjo është shtëpia ime. Uroj dhe shpresoj që gjithë këtë besim ta shpërblej me punë dhe rezultate”, tha Xhafa në fjalët e tij të para si trajneri i Lushnjes.