Peshëngritja është një sport i cili ka patur rezultatet më të larta në gjithë historinë e sportit shqiptar. Nga rradhët e tij kanë dalë kampionë e rekordmenë të mëdhenj dhe sot duam të ndalemi tek një figurë e cila përveçse si sportist po spikat prej vitesh edhe si një trajner shumë i suksesshëm.

E kemi fjalën për Sokol Bishanakun. Ai ka lindur në Shkodër më 20 qershor 1971 dhe sportin e peshëngritjes do ta niste në moshë shumë të vogël, vetëm 11 vjeç.

Vetë Sokoli në një rrëfim për “Shkodra Sport” e ka ende të freskët atë moment kur nisi këtë sport dhe shprehet: “Njeriu që më futi në peshëngritje ka qenë i ndjeri Fehmi Bushati. Duke qenë se ai vinte nga një familje e cila kishte dhënë shumë për këtë sport ngaqë i ati, Njazi Bushati kishte qenë sportist dhe trajner, shihte tek unë ndoshta premisat e një shtangisti me të ardhme.

Përveç kësaj, në lagje kisha një tjetër emër të njohur të peshëngritjes shkodrane dhe asaj shqiptare- Xhelal Sukniqin dhe sukseset e tij më ngacmonin gjithnjë që edhe unë të behesha një ditë si ai. Pikërisht nisur nga këto dy gjëra, vendosa të rregjistrohem në ekipin e pionerëve të klubit Vllaznia dhe trajneri im i parë ka qenë Sabah Bareta. Ka qenë viti 1982, kur unë isha vetëm 11 vjeç”.

Këtu do të niste një rrugëtim i gjatë i Sokolit tek shtanga, rrugëtim që ende nuk është ndalur edhe sot pas 37 vitesh dhe me siguri që do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Që në garat e para me pionerët do të shfaqte talentin e tij dhe do shpallej shumë shpejt kampion i vendit dhe po ashtu do të niste të thyente edhe rekordet e para. Vitet kalojnë dhe në vitin 1987 kalon me ekipin e të rinjve, aty ku do kishte trajnerë dy emra shumë të njohur të këtij sporti, Asim Belinovën dhe Nikolin Qyrsaqin.

Edhe me të rinjtë sërish është kampion e rekordmen dhe duke parë këtë ecuri, një vit më vonë, pra në vitin 1988 trajneri i ekipit të parë, Petrit Hoxha, do ta përfshinte në ekip ndonëse ai ishte vetëm 17 vjeç.

Në vitin 1990 në Korçë u zhvillua Kampionati Ballkanik i të rinjve dhe Sokol Bishanaku do të shpallej Kampion Ballkani. Një rezultat ky i lartë çka jepte premisat e një karriere të suksesshme edhe me të rriturit.

Duke konkurruar me të rriturit, Bishanaku fillimisht nuk do ta kishte aspak të lehtë sepse në peshën e tij konkurronte edhe një emër shumë i njohur i peshëngritjes shqiptare të atyre viteve, Fatmir Bushi dhe garat me të ishin shumë të bukura.

Sportisti i Vllaznisë gradualisht “ngjitet në skenë”. Shpallet kampion duke përfaqësuar fillimisht Vllazninë dhe këtë sukses e arrin në vitet 1992 dhe 1993. Këto suksese nuk mund të anashkaloheshin dhe Sokol Bishanaku në vitet 1990 dhe 1991 është fitues në anketën e “10 sportistëve më të mirë të Shkodrës”. Ky sukses do të shkonte më tej kur në vitin 1992 është fitues i anketës së “10 sportistëve më të mirë të Shqipërisë”.

Po në këtë vit, pra më 1992, nën drejtimin e trajnerit Petrit Hoxha, zgjidhet për të qenë pjesë e ekipit olimpik shqiptar që mori pjesë në Lojërat Olimpike të zhvilluara në Barcelonë bashkë me dy shkodranët e tjerë Dedë Dedaj dhe Genc Barkiçi. Bishanaku konkurron në peshën 67.5 g dhe renditet në vendin e 10-të.

Në vitin 1993 ndërkohë shkon në Tiranë, aty ku jeton edhe sot e kësaj dite. Nga ky vit dhe deri më 2001 konkurron me Dinamon dhe është gjithnjë kampion i vendit. Më pas kalon tek Partizani ekipi me të cilin do të vazhdonte karrierën si sportist deri në vitin 2006 dhe është gjithnjë kampion.

Këtu do të mbyllej rrugëtimi i tij si sportist. Me shumë tituj kampion, me rreth 80 rekorde kombëtar të thyera gjatë konkurrimit me të gjitha grupmoshat. Pjesmarrës i rregullt në Lojërat Mesdhetare (ku rezultatin më të mirë e ka deri në vendin e katërt, në Europiane (rezultatin më të mirë e ka vendin e shtatë në kontinent) dhe në Botërore.

Pa lënë mënjanë kurrsesi pjesmarrjen në shumë turne të ndryshëm ndërkombëtar ku spikat një medalje ari e marrë në Greqi. Padyshim që ka fituar gjithçka ka qenë e mundur dhe jo më kot është një nga sportistët e spikatur të viteve ’90- 2000′ në vendin tonë. Per te gjitha keto suksese, Sokol Bishanaku ne vitin 1990 eshte nderuar me titullin Mjeshter i Madh, nderkohe qe me pas ka marre edhe titullin “Nderi i Federates Shqiptare te Peshengritjes”.

Karriera si trajner
Sportin e ka lënë në vitin 2006 dhe menjëherë do të niste punën si trajner. Angazhohet pranë klubit sportiv Dinamo ku do të punonte deri në vitin 2010, duke arritur ta shpallë edhe kampion këtë ekip.

Pas shkrirjes së këtij ekipi, në vitin 2012 do të kalonte si trajner tek ekipi i Tiranës, aty ku vazhdon të punojë edhe sot e kësaj dite. Ka arritur ta shpallë edhe këtë ekip kampion dhe kjo tregon më së miri edhe njëherë tjetër për vlerat e tij si trajner.

Jo më kot është edhe trajner i kombëtares shqiptare prej vitesh teksa ka marrë pjesë edhe në Lojërat Olimpike të Londrës në vitin 2012 dhe të Rio de Zhaneiros në vitin 2016. Ka stërvitur sportistë të tillë si Elvis Tabaku, Erkand Qerimaj, Daniel Godelli, Briken Calja etj.
Gjergj KOLA