Kur flasim për basketbollin shkodran dhe atë shqiptar, kurrsesi nuk mund të anashkalosh një emër, atë të Renato Radojës, legjendës së tij këtij.

Për personazhin e këtij shkrimi sot është një ditë e veçantë sepse ai feston 82 vjetorin e lindjes dhe me këtë rast, gazeta “Shkodra Sport” i uron atij edhe 100 vite të tjera të lumtura!

I datëlindjes 31 tetor 1939, Mjeshtri Radoja padyshim qe eshte nje nga emrat me te shquar ne historine e basketbollit shkodran dhe atij shqiptar.

Ai per 66 vjet që në një mënyrë ose tjetër nuk e ka lëshuar topin e basketbollit prej duarve, ndoshta qysh më 1954 ose 1955, kur “pionierit” Renato Radoja, një njeri me emrin Ernest Halepiani, për çudi një futbollist i mirënjohur, e po kaq dhe trajner e instruktor i shquar i edukatës fizike e sporteve me një kontribut të përmasave, i ka treguar djaloshit në të largëtin vit 1953 e 1954, “ABC-në e basketbollit”.

Nuk mund të ketë në historinë e sportit shqiptar një të dytë si Radoja, i cili për 66 vjet nuk i është ndarë fushës së basketbollit dhe i cili nuk e ka lëshuar prej duarve topin e basketbollit.

Renato Radoja nuk është bërë sportist. Ai ka lindur sportist. I përkryer ai u bë vetë. Brezi i ri me siguri nuk e di se në Shqipëri një njeri me emrin Renato Radoja, është i pari i cili e ka shndërruar lojën me topin e basketbollit në art.

Askush tjetër para tij nuk ka mundur ta bëjë një gjë të tillë. Dhe kur e bëri ai, atëherë të gjithë vrapuan mbas tij, ta imitonin, t’ia “vidhnin” artin, t’ia përvetësonin, në fund të fundit, të nxitonin për të shkuar mbas tij. Ai nuk u trondit kësisoj. Me zemërgjërsi ai ua blatoi atyre artin e tij.

Diçka rreth të 180 centimetrave shtatlartësi, Radoja nuk qe as i vogël e as shtatshkurtër. Muskujt i tij kanë qenë të zgjatueshem tejet, falë një elaticiteti të papamë, mbi të cilën mbahej një shpejtësi marramendëse jo vetëm e vrapimit dhe e driblimit, por dhe e gjuajtjes së menjëhershme nga çdo pozicion, e larmisë së saj të pafund, një lloj shpejtësie e një sinkronizimi të jashtzakonshëm, një shpejtësi e vendimit, e realizimit, shpejtësi e befasisë dhe e krijimit.

Renato Radoja ka qenë Numri 1 i basketbollit shqiptar për gati 15 vjet dhe e pakta për një dekadë ai nuk mund të zëvëndësohej prej askuj.

Brezi i ri nuk e di që Renato Radoja është shpallur nga një juri ndërkombëtare si “basketbollisti më i mirë” i Kampionatit Ballkanik të Basketbollit, i vetmi Kampionat kësisoji i zhvilluar në Tiranë, më 1965.

Radoja ka qenë edhe Kampion i Shqipërisë me tre klubet më të mëdhenj të basketbollit shqiptar, 17 Nëntorin e Tiranës, Partizanin dhe Vllazninë e Shkodrës, të cilën ai e bëri për herë të parë Kampione të Shqipërisë.

Per te gjitha keto suksese ai ka marre shume tituj e nderime, por te gjitha i ka merituar sepse Renato Radoja eshte emblema e basketbollit shkodran dhe atij shqiptar.
Gjergj KOLA