Nga Endri ÇINARI
Vllaznia kërkon të krijojë një vazhdimësi në kampionat, ku pas fitores 4-1 ndaj Partizanit, kuqeblutë duan vijimin e rezultateve pozitive edhe ndaj Teutës në ndeshjen e rradhës. Duel që luhet të dielën në orën 19:00, në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Kështu përgatitjet kanë qenë intensive për kuqeblutë gjatë kësaj jave, me trajnerin Martini që ka pasur nën dispozicion të gjithë futbollistët. Me përjashtim të portierit Jukaj, që do qëndrojë jashtë fushave për të paktën një muaj.
Kështu trajneri shkodran ka ndërtuar edhe formacionin që pritet të zbresë në fushë ndaj Teutës. Për 50-vjeçarin duket se ka pak dyshime dhe pak ndryshime në formacion në krahasim me ndeshjen ndaj Partizanit. Me ish-fantazistin që pritet t’i besojë pak a shumë të njëjtit formacion që zbriti në fushë ndaj “demave”. Kështu nga porta pritet ta nisë Pohls, që do luajë të dytën ndeshje si titullar mes shtyllave të portës shkodrane.
Në mbrojtje priten treshja Gurishta-Gjini-Bajrami, me këtë të fundit që mund të ketë një balotazh me Kuros. Pavarësisht se kosovari duket më i avantazhuar për ta nisur nga minuta e parë. Në mesfushë krahas forcës dhe grintës së Krymit pritet të rreshtohen edhe fantazia e dyshes Murataj dhe Kallaku.
Teksa nga krahu i majtë do jetë Jago e ndërsa në të djathtë do ketë një duel mes Kastratit dhe Males. Sulmi duket se ka shumë pak dyshime, me dyshen Balaj-Bismark që do udhëheqë ofensivën kuqeblu. Ky pritet të jetë edhe formacioni i 9 herë kampionëve të vendit tonë në duelin e rradhës ndaj durrsakëve.(www.shkodrasport.com)