Nga Endri ÇINARI
Kur kanë kaluar 5 javë nga nisja e sezonit 2024-25 në Superligë, Vllaznia kryeson në kuotën e 10 pikëve. Pas shkodranëve në të njëjtën kuotë pikësh vjen Egnatia, por me disavantazhin e disfatës në përballjet direkte. Kuqeblutë në këtë mënyrë i kanë bërë një nisje mjaft të mirë sezonit. Duke treguar edhe ambiciet e mëdha që ekzistojnë në kampin kuqeblu.
Por përveç pikëve, formën e mirë të ekipit të Brdaric e tregojnë edhe statistika të tjera. Duke nisur nga numri i golave të shënuar që është 8 pas 5 ndeshjesh. Para Vllaznisë në këtë statistikë qëndron vetëm Egnatia. Me kampionët në fuqi të vendit që kanë shënuar 10 herë. Me 4 gola që erdhën në suksesin e fundit kundër Bylis për rrogozhinasit.
Përsa i përket edhe pësimit të golave, Vllaznia ka statistika pozitive. Ku deri më tani e ka nxjerrë topin nga rrjeta në 5 raste. Më pak se shkodranët ka pësuar AF Elbasani i vendit të tretë dhe Laçi që ndodhet në vendin e fundit. Të dy skuadrat kanë pësuar nga 4 gola secila. Po ashtu në rradhët e Vllaznisë është edhe golashënuesi më i mirë për momentin në Superiore, Bekim Balaj.
Shtalarti po vijon me formën e shkëlqyer të sezonit të shkuar dhe duket sërish pretendenti kryesor për “Këpucën e Artë”. Pra, statistika goxha pozitive për Vllazninë, që do kërkojë ti pasurojë duke nisur nga ndeshja e së dielës kundër Bylis. Dhe me 3 kundërshtarët më të fortë në letër siç janë: Partizani, Tirana dhe Egnatia ku kuqeblutë kanë fituar 7 pikë, deri në fundin e fazës së parë Vllaznia ka mundësi të përmirësojë akoma më tepër./www.shkodrasport.com/