Finalja e Kupës së Shqipërisë mes Egnatias dhe Dinamos ka afruar në tribuna shumë emra të njohur të futbollit shqiptarë dhe jo të gjithë kishin ardhur thjesht për të shijuar futbollin në fushën e lojës.

“Spektatorë të interesuar” në tribunë për këtë ndeshje ishin delegacione nga skuadrat e Partizanit dhe Vllaznisë. Drejtori sportiv Arbër Abilaliaj i të kuqve dhe Tefik Osmani i kuqebluve, ishin në tribunë duke ndjekur ndeshjen e skuadrave me të cilat ekipet përkatëse do të përballën në ditët e ardhshme në “Final Four”.

Por njëkohësisht, në tribunë ishte i pranishëm edhe trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, i cili po monitoron lojtarë nga të dy skuadrat. Për momentin, pjesë e kuqezinjve është Naser Aliji, ndërsa mbetet të shihet nëse Silvinjon do e bindë ndonjë lojtar tjetër nga klubet e Superiores, të cilat ai i ka injoruar vazhdimisht në zgjedhjet e tij.