Një dëmtim i rëndë në gju duket se do ta mbajë larg fushave të gjelbra për muaj të tërë portierin e Barcelonës, Andre ter Stegen. Gjermani u transportua me barelë mes dhimbjesh nga fusha gjatë fitores së thellë 5-1 të Barcelonës në fushën e Villarrealit.
Trajneri i Barçës, Hansi Flick, konfirmoi se lëndimi duket të jetë “i rëndë dhe serioz”, por shtoi se ai nuk mund të ofrojë ndonjë afat kohor derisa të kryhen teste të mëtejshme.
Stacioni radiofonik RAC1 raportoi se Ter Stegen, i cili u dërgua në një spital afër “Estadio de la Cerámica të Villarrealit”, mund të jetë jashtë edhe për tetë muaj, gjë që do ta përjashtonte atë për pjesën tjetër të sezonit.
“Nuk duket mirë për Marc”, tha Flick për televizionin spanjoll pas ndeshjes. “Duhet të presim për të ditur diagnozën e plotë të dëmtimit, por, fatkeqësisht duket se është vërtet serioz”.
Ter Stegen u rrëzua përtokë pas një goditjeje nga këndi në fund të pjesës së parë dhe u kuptua menjëherë se ai nuk do të mund të vazhdonte më. Ai u zëvendësua nga Iñaki Peña.