Liverpool fiton, toka dridhet. Kjo është ajo që regjistroi një ekip studiuesish nga Universiteti i Liverpool-it gjatë ndeshjes, që ishte vendimtare në përcaktimin e titullit të Premier League për ‘Reds’, kundër Tottenham, me çdo gol të Salah dhe shokëve të tij (dhe në fund ishin 5), Anfield dridhej.
Valë reale sizmike, të matura me pajisje moderne dhe të krahasueshme me shumë “tërmete” të vegjël. Studimi ishte “krijuar” nga shkencëtarët nga Departamenti i Shkencave të Tokës, Oqeanit dhe Mjedisit në Universitetin e Liverpool-it, të cilët, duke pritur një përgjigje të tillë nga turma e Anfield, u shfaqën në stadium me të njëjtin lloj pajisjesh që zakonisht përdoren për të monitoruar rajonet me prirje sizmike si Kili apo Italia.
Dhe në çdo festë të 60,000 tifozëve në tribuna ata ishin në gjendje të kapnin lëvizjet e tokës. Të dhënat laboratorike konfirmuan korrelacionin midis golave dhe aktivitetit sizmik.
Në veçanti, lëkundjen më të fortë e shkaktoi goli 2-1 i MacAllister-it, ai që përmbysi rezultatin në minutën e 24-ët, me magnitudë 1.74 ballë të shkallës Rihter (tërmete të vogla, të cilat mund të ndihen, por nuk shkaktojnë dëme, kanë magnitudë rreth 2 ballë).
Lëkundja e dytë më e fortë, me magnitudë 1.60, u regjistrua kur Salah shënoi (4-1). Goli i Gakpo për të bërë 3-1 ishte 1.03 ballë, autogoli i Udogie (5-1) ishte 1.35 ballë, ndërsa goli i Luis Diaz nuk e emocionoi shumë Anfieldin: magnitudë 0.64.
Dr Farnaz Kamranzad, i cili mori pjesë në studim, komentoi: “Është e mahnitshme të shohësh se si tifozët e futbollit mund të gjenerojnë energji sizmike: shkenca është kudo, madje edhe e fshehur nën zhurmën e një goli në Anfield. Çdo duartrokitje, çdo festë, lë një gjurmë nën këmbët tona, një gjurmë sizmike gëzimi kolektiv, e shkruar në kujtesën e Tokës…”.