Tirana luan sot në Elbasan qëndrimin në Kategorinë Superiore.Përballë do të ketë ekipin e Pogradecit në sfidën e “play out”-it, ku bardheblutë, si vendi i tetë, dhe Pogradeci, si fituesja e “play off”- it, për 90 minuta do të tregojnë forcën në fushën e lojës. Tej të gjithave, Tirana ka një sfidë që duhet ta fitojë me doemos, të tregojë se vendi i tetë në Superiore ishte rastësi. Që të mos bjerë për herë të dytë në Kategorinë e Parë dhe t’u ngrejë kokën tifozëve, që tani e shohin veten shumë poshtë. Një ndeshje që duhet fituar me zemër, forcë dhe fanellë, pasi një rënie e dytë do të ishte tragjedi dhe populli bardheblu nuk do ta pranonte.
PËRBALLJET – Tirana-Pogradeci në 20 vitet e fundit duket se nuk ka histori. Ose të paktën kështu thonë shifrat e përballjeve të fundit. Bardheblutë, nga viti 2004 e deri sot, janë përballur tetë herë me pogradecarët në ndeshje zyrtare, ndërsa shifrat janë shumë lart për ekipin kryeqytetas. Nga tetë takime, Tirana ka fituar shtatë prej tyre, duke treguar supremacinë në fushën e lojës. Madje, duke marrë edhe rezultate 6-0. Bardheblutë, katër ndeshje i kanë sezonin e Kategorisë së Parë, ku kanë qenë dominues në çdo aspekt të lojës. Dy ndeshje të tjera janë luajtur për Kupën e Shqipërisë, me Tiranën që nuk e ka diskutuar në asnjë moment. Bardheblutë dhe Pogradeci janë përballur edhe në Superiore, gjatë sezonit 2011-2012, me Tiranën që ka triumfuar, pa u lodhur shumë.
Një nga tetë takimet e fundit është mbyllur në barazim pa gola, por kjo sfidë daton 20 tetorin 2010. Pas asaj loje Tirana ka qenë dominuese në çdo aspekt, çka tregon se liqenorët e kanë pasur të vështirë ndaj kryeqytetasve. Një tjetër aspekt që të jep shpresë në këtë situatë, janë golat e shënuar dhe të pësuar në tetë takimet e fundit. Tirana ka shënuar 25 herë në portën e Pogradecit, me një mesatare prej 3 golash për takim, si dhe ka pësuar 5 rrjeta në tetë përballje. Në analizë të të gjithë shifrave në ndeshjet e fundit, Tirana është shumë e avantazhuar. Pogradeci shihet si një ekip i kalueshëm. Madje, edhe analistë të shumtë kanë vlerësuar se Besa mund të ishte ajo, e cila do t’i hapte punë skuadrës bardheblu. Gjithsesi, shifrat e shkuara janë histori. E tashmja vlen dhe Tirana e Pogradeci në 90 minutat e fundit të “Elbasan Arenës” do të tregojnë veten dhe nëse ky trend statistikor do të vërtetohet edhe në këtë ndeshje të radhës.