Në prag të ndeshjes kundër Botafogos, trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, përsëriti filozofinë e tij që privilegjon kolektivin, duke lënë mënjanë çdo entuziazëm për çmime individuale si Topi i Artë. I pyetur për këtë temë gjatë konferencës për shtyp, spanjolli ishte i qartë: “Nuk jam i interesuar për Topin e Artë. Çmimet individuale nuk më interesojnë. Më vjen keq, megjithëse i preferuari im pa dyshim është Ousmane Dembélé”.
Luis Enrique e vlerësoi francezin për ndikimin e tij të jashtëzakonshëm në triumfin kontinental të PSG-së dhe gjatë gjithë sezonit. Por ish-lojtari i Barcelonës nuk është i vetmi që ka spikatur: “Vitinha, Hakimi, Fabian Ruiz, Marquinhos, Pacho, Nuno Mendes… të gjithë do të meritonin gjithashtu vlerësim. Në fund të fundit, as nuk e di se kush voton për Topin e Artë. Dhe sinqerisht, nuk më intereson”.
“Unë besoj shumë më tepër në atë që përfaqëson grupi ynë, idenë tonë për futbollin dhe forcën e klubit. Kjo është ajo që ka rëndësi. Dhe është e rëndësishme t’ua transmetojmë këtë të rinjve, të cilët shpesh ndjekin objektivat individualë”.
Në krye të një PSG-je dominuese, dërrmuese kundër Interit në finalen e Ligës së Kampionëve (5-0) dhe brilante në debutimin e tyre në Kupën e Botës për Klube me fitoren 4-0 ndaj Atlético Madrid, Luis Enrique e mbylli fjalimin e tij me një mesazh të qartë: “Ajo që transmeton ekipi ynë është shumë më e rëndësishme se një Top i Artë”.