Nga Maringlen ZHIVANI

Trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, e ka nisur fazën përgatitore me një shqetësim të madh në mendje, repartin e mbrojtjes. Vllaznia ka nisur punën në funksion të ndeshjeve europiane që e presin këtë verë, por trajneri Martini është i vetëdijshëm se sukseset ndërkombëtare ndërtohen mbi një mbrojtje të fortë dhe të konsoliduar.

Lëvizjet e largimeve nga sezoni i kaluar dhe disa pasiguri në përbërjen aktuale kanë lënë boshllëqe që duhet të mbushen me urgjencë. Në këtë kuadër, trajneri Martini u ka kërkuar drejtuesve të klubit përforcime të menjëhershme në këtë repart, duke preferuar futbollistë me eksperiencë që mund të përshtaten shpejt dhe të përballojnë presionin e ndeshjeve ndërkombëtare.

Klubi është angazhuar në merkato dhe po shqyrton disa opsione, si brenda kampionatit shqiptar, ashtu edhe në tregun e huaj, për të sjellë emra që do të shtojnë konkurrencën dhe cilësinë në prapavijë. Martini ka kërkuar qartësisht që përpara ndeshjes së parë europiane të ketë një mbrojtje të plotë dhe të harmonizuar, pasi e konsideron këtë një element kyç për suksesin.

Tifozët e Vllaznisë presin me interes lëvizjet e rradhës, teksa klubi po përpiqet të plotësojë vizionin e trajnerit Edi Martini për një skuadër që nuk do të jetë thjesht pjesëmarrëse në Europë, por edhe konkurruese.(www.shkodrasport.com)