HomeKRYESOREU dëmtua ndaj United, ja sa mungon Cole Palmer

U dëmtua ndaj United, ja sa mungon Cole Palmer

Trajneri Enzo Maresca ka konfirmuar se mesfushori-sulmues i Chelseat, Cole Palmer, do të mungojë për një periudhë deri në tri javë si pasojë e një dëmtimi të përsëritur në ijë.

Palmer u detyrua të largohej nga fusha gjatë pjesës së parë të humbjes ndaj Manchester United fundjavën e kaluar, pasi shqetësimi në ijë u rikthye.

Lojtari 22-vjeçar kishte nisur të ndiente probleme që gjatë përgatitjeve parasezonale, të shkurtruara nga pjesëmarrja e Chelseat në Kupën e Botës për Klube në korrik.

“Vendosëm ta mbrojmë pak Cole për të mos lejuar që dëmtimi të përkeqësohet”, tha fillimisht Maresca.

“Do të pushojë për dy deri në tre javë, deri në pushimin ndërkombëtar, për të parë nëse me atë pauzë mund të rikuperohet plotësisht dhe të rikthehet në formën optimale”.

Trajneri italian shtoi gjithashtu se nuk parashikohet ndërhyrje kirurgjikale.


“Nuk mendoj se ka nevojë për operacion. Është thjesht çështje menaxhimi të dhimbjes. Kemi zgjedhur një qasje më konservatore”.

Palmer ka qenë titullar në vetëm tri nga shtatë ndeshjet e deritanishme të Chelseat këtë sezon dhe mungoi në grumbullimin e fundit të Anglisë.

Përfaqësuesja angleze do të zhvillojë një miqësore ndaj Wales më 9 tetor, përpara ndeshjes kualifikuese ndaj Letonisë pesë ditë më vonë.

Chelsea do të përballet me Brighton dhe Liverpoolin në Ligën Premier, si dhe me Benfican në Ligën e Kampionëve para se të nisë pushimi ndërkombëtar i tetorit.

Ndërkohë, Maresca nuk do të ketë në dispozicion as mbrojtësin Tosin Adarabioyo, i cili do të qëndrojë jashtë fushave deri pas pushimit për shkak të një dëmtimi në pulpë.

Wesley Fofana gjithashtu do të mungojë në përballjen e radhës ndaj Brighton për shkak të një dëmtimi në kokë.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments