Finalja e madhe e kampionatit “Abissnet Superiore” për sezonin 2024/2025 do të zhvillohet të hënën, më 12 maj, në orën 20:00, në stadiumin “Arena Kombëtare”, ku përballë do të jenë Vllaznia dhe Egnatia.

Në një analizë për “MCN Informacion”, menaxheri i futbollit Uliks Kotrri deklaroi se të katër ekipet që arritën në fazën finale kishin të gjitha meritën për të qenë aty.

“Katër ekipet që mbërritën në Final 4 e merituan plotësisht. Ishin ndeshje teke, dhe ndonjëherë, në këtë format, nuk fiton gjithmonë ekipi më i mirë, por ai që menaxhon më mirë momentin.

Formula e këtij sezoni i dha këtyre dy skuadrave, Vllaznisë dhe Egnatias, mundësinë të kalojnë për më tepër që ishin konstantë gjatë gjithë vitit.

Edhe Elbasani, që u afrua në fazat finale, bëri një paraqitje dinjitoze, ndërsa në pjesën e poshtme të tabelës u zhvillua poashtu një betejë e fortë për mbijetesë”- ka thene Kotrri.

Duke u ndalur te Vllaznia, një prej finalistëve, Kotrri vlerësoi rritjen dhe pjekurinë e skuadrës këtë sezon.

“Më duket që këtë vit Vllaznia është më e pjekur. Nuk dua të flas për cilësinë në krahasim me vitet e kaluara, por ky grup lojtarësh duket më i përqendruar dhe më i aftë për të menaxhuar ndeshje të forta, si ajo ndaj Dinamos. Fituan atë që donin, dhe kjo, për mua, është shenjë e qartë pjekurie”- eshte shprehur Kotrri.