Për gjithë pjesën tjetër duhet të merreni vetë, për sulmin, lërjani vëllezërve Uldedaj! Është pak e rrallë që të shohësh në futbollin profesionist dy binjakë, dy vëllezër, të cilët të jenë pjesë e një ekipi dhe të dy të luajnë në sulm, njëri në krahun e majtë dhe tjetri në krahun e djathtë. 

“Vllaznia Uldedaj” të garanton frikësimin e mbrojtësave kundërshtarë dhe krijimin e shumë rasteve përpara portës, ndërsa për pjesën tjetër mbrojtëse, duhet të merren të tjerët, sigurisht edhe me ndihmën që duhet të vijë edhe prej Uldedajve. Aktualisht janë pjesë e moshave të Vllaznisë U-19, por nëse mbajnë këtë ritëm, nuk do të jetë vonë dita kur të jenë pjesë e ekipit të parë të Vllaznisë. 

Dhe imagjinoni për një moment sulmin e Vllaznisë A me Sokol Uldedajn në njërin krahë të sulmit dhe Simon Uldedajn në tjetrin, dy vëllezër që mund të shpërndajnë lojën në krahe të ndryshme dhe mund ta bëjnë këtë fare lehtë, majtas-djathtas, sy mbyllurazi sepse përpos anës profesioniale dhe leksioneve të marra në Shkodër, binjakët thuhet se kanë një telepati të frikshme, mendojnë dhe veprojnë po njësoj, ndiejnë çdo lëvizje të njëri-tjetrit. 

Shkodra nga ana tjetër thuhet se është djepi i futbollit shqiptar, disa shpeshherë thonë një tjetër qytet që i konkurron denjësisht, por provat e dhëna në gjithë këto vite nga Shkodra kanë treguar, se janë shumë kilometra larg të tjerëve. Por nuk ka vend për xhelozi, për fatin e mirë Shkodra është pjesë e Shqipërisë dhe deri tani të paktën, nuk aspiron të krijojë një përfaqësuese më vete, siç ndodh me shqiptarët që mbajnë 5 Kombëtare dhe 3 përfaqësuese me futbollistë.

Nëse do të ishim të bashkuar, kualifikimi në Botëror nuk do të ishte më një ëndërr, por një dështim i madh nëse nuk do të ndodhte. Ndërkohë ekipet e para duhet t’i japin gjithmonë e më shumë vëmendje talenteve që spikasin nga të rinjtë, sidomos te Vllaznia, ka kaq shumë brenda shtëpisë, aq sa shpesh u ikin nga duart pasi nuk mund t’i kontrollojnë dot të gjithë. Dy vëllezërit Uldedaj, dy binjakët Uldedaj, për momentin janë një histori e izoluar në Shqipëri dhe në grupmosha që nuk tërheqin shumë vëmendje, por një ditë, mund të jetë një histori ndërkombëtare, gjithçka luhet në këmbët e tyre. Një Vllazni për të ndihmuar Vllazninë, jo keq… /Sport Ekspres/