Nga Endri ÇINARI
Duhej të vinte java e 36-të e kampionatit në Premier League që Brajan Gruda të gjente golin e parë në ishull. Shkodrani i cili u transferua në verën e shkuar nga rradhët e Mainz në Gjermani tek Brighton në Angli, për shifrën rekord në klubin gjerman të 30 milionë eurove, ka gjetur sot golin e parë në elitën e futbollit anglez.
Në fitoren që skuadra e tij e Brighton arriti në shifrat 0-2 ndaj Wolves në transfertë, lojtari i kombëtares U-21 të Gjermanisë diti të ishte protagonist. Pavarësisht se nuk ishte titullar, Gruda u hodh në fushë në minutën e 59-të. Moment ku shifrat ishin 0-1 në favor të “pulëbardhave” që kryesonin falë një goli të Welbeck. Megjithatë 20-vjeçari do vuloste 3 pikët për skuadrën bardheblu të drejtuar nga Hurzeler.
Ku në minutën e 85-të do mposhte sërish portierin vendas, për t’i dërguar shifrat në 0-2. Me një goditje të bukur me të majtën, Gruda shijoi kështu golin e tij të parë në Premier League. Më parë futbollisti me origjinë shkodrane kishte dhuruar edhe 3 asiste në kampionat. Ku ky sezon ka qenë më tepër përshtatje për mëngjërashin në Angli, i cili ka vuajtur në dy raste edhe dëmtimet.
Megjithatë vlerat dhe cilësitë e tij nuk janë vënë asnjë herë në diskutim nga klubi. Që tek Gruda shohin një investim shumë të rëndësishëm të së ardhmes. Pas kësaj fitoreje, Brighton ngjitet në kuotën e 55 pikëve në vendin e 9-të në Premier League, ku kanë ngelur edhe 2 ndeshje nga përfundimi i këtij edicioni.
Goli i Brajan Grudës: (VIDEO)