Drejtori i Sportit në Bashkinë Shkodër, Auron Miloti, ka reaguar publikisht pas deklaratave të presidentit të Klubit të Futbollit Vllaznia, Alban Xhaferi, lidhur me organizimin e koncertit të mjeshtrit të madh dhe Nderit te Kombit Bujar Qamili në stadiumin “Loro Boriçi”. Miloti ka përgënjeshtruar pretendimet e ngritura për një mungesë komunikimi dhe për rrezikimin e fushës së lojës nga aktiviteti artistik.

Ndersa shtoi se artisti eshte nje personazh I lidhur me Vllaznine permes jo vetem tifozerise por edhe kengeve simbol dedikuar ekipit te zemres. Miloti theksoi se të gjitha strukturat përgjegjëse janë vënë në dijeni për këtë aktivitet me kohë, përfshirë edhe përgjegjësin e mirëmbajtjes së stadiumit, si dhe vetë presidentin e klubit Vllaznia, Alban Xhaferi.

Ai sqaroi se data e koncertit është caktuar në një periudhë kur nuk është planifikuar asnjë ndeshje futbolli, duke përjashtuar kështu çdo mundësi për mbivendosje apo dëm në kalendarin sportiv.

Ai vlerësoi mbështetjen e Bashkisë Shkodër për ngjarje të tilla të mëdha artistike që promovojnë emrat më të spikatur të artit shkodran, duke theksuar se organizimi i koncertit në një ambient ikonik si stadiumi “Loro Boriçi” është edhe një formë nderimi për artistin Bujar Qamili dhe gjithë qytetin e Shkodrës.