Atletika në Shkodër ka qenë gjithmonë një sport elitar. Ajo ka nxjerrë shumë kampionë e kampione në vite. Po nëse me meshkujt këto vitet e fundit kemi qenë shumë më mirë, me femrat është vetëm një Erisa Rrasa e cila ka provuar ndjesinë e titullit. Megjithatë shumë shpejt ajo nuk do jetë e vetme.
Kjo sepse në pistën e stadiumit “Loro Boriçi” po rriten një grup vajzash të talentuara dhe njëra prej tyre, ndoshta nga më të spikaturat, është edhe Roah Bashli. Pak ditë më parë ajo bëri një paraqitje të mirë në Turneun Ndërkombëtar të Tivarit në Mal të Zi dhe tre ditë më vonë u shpall kampione kombëtare për 16 vjeçaret në garat e zhvilluara në Elbasan.
Ajo ka dominuar në garën e 300 metrave duke i sfiduar të gjitha rivalet e saj dhe në fund ka prekur e para finishin me një kohë shumë të mirë që është edhe rekord personal për të. Padyshim që ky sukses do të jetë një nxitje e madhe për karrierën e saj të mëtejshme ku sigurisht që kërkon rezultate shumë më të larta.
Në një prononcim të dhënë për gazeta “Shkodra Sport”, Roah Bashli është shprehur: “Të shpallesha kampione ishte një ndjesi shumë e bukur sepse gara ishte e fortë dhe përveçse dola e para, theva edhe rekordin tim personal. Ky sukses ka ardhur falë punës që bëj çdo ditë me profesor Bruno Rrotanin në stërvitje, por sigurisht që kam shumë synime për të ardhmen”.
Të plotë prononcimin e atletes së Vllaznisë mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të gazetës tonë në youtube duke klikuar në linkun e mëposhtëm: