Vllaznia në volejboll për meshkuj e ka nisur mbarë kampionatin. Në tre ndeshjet e para, ajo ka arritur t’i fitojë të gjitha duke qenë kësisoj ndër ekipet më të mira deri më tani, megjithatë gara sapo ka nisur dhe padyshim që deri në fund ka një rrugë të gjatë.
Ky start me tre fitore ndoshta ka qenë edhe disi i papritur nisur edhe nga problemet që skuadra shfaqi në fillim të sezonit, shoqëruar me largimin e tre volejbollistëve dhe pikërisht të Visar Lleshit, Mario Lugajt dhe Viktor Bazhdarit. Një gjë e tillë bëri që kontigjenti i lojtarëve në dispozicion të trajnerit Kalaja të reduktohej ndjeshëm.
Megjithatë drejtuesit e Shoqatës kanë reaguar menjëherë duke ndërhyrë në merkato dhe fillimisht afruan një lojtar nga Venezuela. Bëhet fjalë për Daniel Sierra. Ai luan në rolin e diagonalistit anësor dhe në këto ndeshjet e para ka treguar një nivel shumë të mirë dhe shpresat janë të mëdha që ai të kthehet në një pikë referimi për lojën e skuadrës.
Ndërkohë ditët e fundit ka mbërritur në Shkodër edhe një tjetër lojtar i huaj. Ai është Johan Garcia, i cili menjëherë ka zbritur dje në fushën e lojës në ndeshjen ndaj Skënderbeut, duke dhënë kontributin e tij në fitoren 3-2. Garcia luan në pozicionin qendër.
Me këto dy përforcime, Vllaznia padiskutim që është bërë një skuadër më e fortë, megjithatë tashmë mbetet për t’u parë në raport me ekipet pretendente si Partizani e Tirana, për të mësuar se në çfarë niveli është ajo.(www.shkodrasport.com)